Advertisement

Responsive Advertisement

Agjërimi i udhëtarit

 

Agjërimi i udhëtarit

Agjërimi i udhëtarit

Dr. Jusuf el-Karadavi

Një nga lehtësimet që Islami i ka legalizuar për udhëtarin është mundësia që ai të mos agjërojë gjatë muajit të Ramazanit. Ky lehtësim është vërtetuar me Kur’an, Sunetin pejgamberik dhe me konsensusin e dijetarëve.

Në Kur’an thuhet: << E kush prej jush e përjeton këtë muaj, le të agjërojë, e kush është i sëmurë ose në udhëtim, le të agjërojë aq ditë nga ditët e mëvonshme. Allahu dëshiron lehtësim për ju dhe nuk dëshiron vështirësim për ju...>>.
Në këtë ajet, Allahu i Madhërishëm ka vërtetuar atë që ishte përmendur edhe më parë në një ajet tjetër, i cili në një periudhë kishte statusin e dispozitës, e më vonë ishte shfuqizuar: <<...E kush është i sëmurë ose në udhëtim, le t’i agjërojë më vonë aq ditë. E ata që nuk munden, janë të obliguar për kompensim: ushqimin e një të varfëri...>>.

Kjo dispozitë është përmendur përsëri për të vërtetuar se vazhdon të vlejë dhe nuk është shfuqizuar, ndryshe nga dispozita e mëparshme që lejonte zgjedhjen mes agjërimit dhe dhënies së fidjes.

Kur’ani ka theksuar qartë se i sëmuri dhe udhëtari mund të mos agjërojnë gjatë Ramazanit dhe ditët e lëshuara t’i plotësojnë pas tij. Po ashtu, edhe i Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, e ka vërtetuar këtë me fjalë, me vepra dhe me miratim.

Udhëtimi me mjetet bashkëkohore nuk i përjashton lehtësimet fetare
Udhëtimi me anije, aeroplan, tren apo me ndonjë mjet tjetër modern nuk i përjashton lehtësimet që i ka legalizuar Sheriati Islam. Këto lehtësime janë dhuratë nga Allahu i Madhërishëm, si shenjë e mëshirës së Tij, prandaj nuk është e përshtatshme që ato të refuzohen.

Disa persona që nuk e njohin mirë legjislacionin islam spekulojnë duke thënë se udhëtimi në kohën tonë nuk është i njëjtë me udhëtimin në kohët e hershme, pasi sot nuk bëhet në këmbë ose me deve nëpër shkretëtira. Sipas tyre, nuk ka arsye të shfrytëzohen këto lehtësime.

Mirëpo, këta harrojnë se dispozitat fetare, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me adhurimin, nuk mund të anulohen mbi bazën e mendimeve personale. Teksti fetar e ka lidhur lehtësimin për mosagjërim me një kriter të qartë dhe të përcaktuar saktë: udhëtimin.

Ky lehtësim nuk është lidhur me ekzistimin e vështirësive fizike, sepse ato nuk mund të maten dhe të përcaktohen në mënyrë precize. Nga ana tjetër, çdo udhëtim, pavarësisht mjetit, përmban në vete një formë vështirësie, pasi njeriu gjendet larg shtëpisë dhe mjedisit të tij dhe përjeton lodhje, shqetësim dhe siklet.

Udhëtimi në kohën tonë sjell edhe vështirësi të natyrave të tjera, si tensioni, stresi dhe lodhja psikologjike, të cilat janë të njohura për ata që udhëtojnë. Prandaj, problemi nuk qëndron vetëm te vështirësitë fizike.

Ibn Tejmije në fetvatë e tij thotë: “Ekziston pajtim i përgjithshëm se udhëtari e ka të lejuar të mos agjërojë, pa marrë parasysh nëse mundet apo jo të agjërojë gjatë udhëtimit, dhe pa marrë parasysh nëse i vjen rëndë apo jo. Edhe nëse udhëton në kushte komode, me hije, pranë ujit dhe me shërbim, prapë i lejohet të mos agjërojë. Po ashtu, atij i lejohet ta shkurtojë namazin. Pra, pa marrë parasysh të gjitha, udhëtarit i lejohet të mos agjërojë”.

Përshtati në shqip: Bashkim Aliu

Post a Comment

0 Comments