Mënyra e përcaktimit të fillimit të Ramazanit:
Vëzhgimi i Hënës
Abdullah ibn Omeri, radijallahu anhu, transmeton se Pejgamberi, salallahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:
“Mos agjëroni derisa ta shihni Hënën e re, dhe mos e ndërpritni agjërimin derisa ta shihni Hënën e re, e nëse ajo ju fshehet, plotësone numrin e ditëve.” (Buhariu)
Imam Ibn Abidin el-Hanefiu thotë:
“Bazë në të cilën duhet mbështetur dhe në të cilën është e detyrueshme të kthehemi, janë mësimet e katër imamëve – muxhtehidëve. Siç është shpjeguar në librat e pasuesve të tyre, është se përcaktimi i muajit Ramazan bëhet vetëm me shikimin e hënës së re gjatë natës, ose me plotësimin e numrit të ditëve të muajit Sha’ban, dhe nuk merret parasysh shikimi i saj gjatë ditës, edhe nëse është para zenitit, sipas mendimit të përzgjedhur. Gjithashtu, nuk duhet mbështetur në njoftimin e muvekkitëve (personave që e përcaktojnë kohën), matematicienëve dhe astrologëve.” (Ibn Abidin, Tenbihu-l-gafili ve-l-vesnan, fq. 98, Daru ihjai-t-turasi-l-‘arebi, Bejrut)
2. Llogaritjet astronomike
Janë matje precize dhe parashikime të lëvizjes së trupave qiellorë, të cilat janë bërë të mundshme vetëm kohët e fundit falë zhvillimeve teknologjike. Këto llogaritje ofrojnë njohuri kategorike, të sigurta dhe të verifikueshme, pa hapësirë për dyshime.
Sa i përket transmetimeve të Pejgamberit, salallahu alejhi ve sel-lem, rreth shikimit të Hënës së re, duket se ato synojnë lehtësimin e përcaktimit të fillimit të muajit të Ramazanit për çdo person, pavarësisht nëse llogaritjet astronomike janë të disponueshme për të apo jo. Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: „Ne jemi një ummet analfabet, nuk shkruajmë dhe nuk llogarisim. Muaji është kaq dhe kaq – domethënë njëzet e nëntë dhe tridhjetë ditë.“ (El-Buhariu, hadithi nr. 1814.)
Thëniet e dijetarëve në të cilat mohohet mundësia e përcaktimit të fillimit të muajit përmes llogaritjeve astronomike mund të kuptohen në përputhje me kohën dhe vendin në të cilin ata kanë jetuar. Në fakt, deri në shekullin e kaluar, astronomia si shkencë që merret me trupat qiellorë, lëvizjet dhe proceset e tyre, nuk ishte e ndarë nga astrologjia si pseudoshkencë, e cila në të vërtetë është një grup besimesh dhe traditash që nuk kanë vlerë dhe bazë shkencore.
Përveç kësaj, astronomët nuk kishin teleskopë dhe instrumente bashkëkohore për përcaktimin e lëvizjes së trupave qiellorë, prandaj thëniet e tyre ishin shumë më të prirura ndaj gabimeve. Për këtë arsye, shumica e dijetarëve e ndaluan mbështetjen në thëniet dhe llogaritjet e tyre.
Megjithatë, një grup dijetarësh e la mundësinë e mbështetjes në llogaritjet astronomike, sipas të cilave sot udhëhiqet pjesa më e madhe e botës islame.
Imam Ibn Nuxhejm el-Hanefi thotë: ‘Disa nga dijetarët tanë thonë se nuk ka problem në mbështetjen te thëniet e njohësve të yjeve. Nga Muhammed b. Mukatil er-Raziu, radijallahu anhu, përcillet se ai i pyeste ata dhe mbështetej në thëniet e tyre kur një grup i madh prej tyre binin dakord.’ (Ibn Nuxhejm, el-Eshbahu ve-n-nezair, 66/2, Daru-l-fikr, Damask, Botimi i dytë, 1403 h.g.).
Mbështetja në llogaritjet astronomike është përcjellë edhe nga dijetarët shafij si Ibn Surejxh (për të cilin hafizi i hadithit, Es-Sujuti, thotë se është ripërtëritësi i fesë i shekullit të 3-të hixhrij), shejhu-l-islam Tekijjuddin es-Subki, imam ez-Zerkeshi dhe të tjerë.
„Shikimi“ i Hënës së re në Arabinë Saudite, i cili sapo u publikua, nuk i obligon muslimanët e Ballkanit që ta agjërojnë ditën e nesërme, mbështetur në transmetimin në të cilin thuhet se Ummu-l-Fadl bint el-Haris e dërgoi Kurejbin te Muaviu në Sham. Ai thotë:
„Erdha në Sham dhe e kreva nevojën e saj. Ramazani filloi derisa isha në Sham, ashtu që e pashë hënën e re natën e xhuma. Pastaj, në fund të muajit, u ktheva në Medine. Abdullah ibn Abbasi më pyeti dhe e përmendi Hënën e re, e pastaj tha: ‘Kur e patë?’ I thashë: ‘Natën e xhuma.’ Ai pyeti: ‘Ti e ke parë?’ I thashë: ‘Po, edhe njerëzit e tjerë e panë, kështu që agjëruan, madje edhe Muaviu agjëroi.“
Atëherë ai tha: ‘Ne e kemi parë natën e shtunë, prandaj do të agjërojmë derisa t’i plotësojmë tridhjetë ditë ose derisa ta shohim atë.’ Unë i thashë: ‘A nuk të mjafton shikimi i Muaviut (dhe agjërimi i tij)?’ Ai tha: ‘Jo. Kështu na ka urdhëruar i Dërguari i All-llahut, salallahu alejhi ve sel-lem.’“ (Muslimi)
Përshtatje: Redaksia
[Islampress.ch]

0 Comments