Advertisement

Responsive Advertisement

A prishet agjërimi nëse merret injeksion?

 

A prishet agjërimi nëse merret injeksion?

A prishet agjërimi nëse merret injeksion?

Dr. Jusuf el-Karadavi

Një nga pyetjet e shpeshta që parashtrohen në lidhje me agjërimin, është edhe pyetja për përdorimin e injeksioneve, qofshin këto injeksione që jepen në muskuj, ose nën lëkurë, ose në venë?

Injeksionet mund të jenë për mjekim, për rritjen e rezistencës së trupit, ose për ushqim. Injeksionet të cilat përdoren për mjekim, siç janë injeksionet për uljen e temperaturës ose tensionit të gjakut, ose për gjëra të ngjashme, sipas mendimit të pranuar në shkallë të gjërë nga dijetarët bashkëkohorë nuk e prishin agjërimin. Këtë status e kanë edhe injeksionet që jepen për kthimin e forcës së organizmit. Këto janë injeksione të cilat përmbajnë lloje të ndryshme të vitamineve, kalcijumit dhe të ngjashme me këto. Edhe këto injeksione nuk e prishin agjërimin, ngase nuk futen në organizëm përmes rrugës natyrore. Këto injeksione nuk futin ushqim në organizëm në mënyrën që do të ishte në kundërshtim me përmbajtjen nga ushqimi që është detyrim i agjërimit.

Pyetja për të cilën dijetarët e sotëm kanë mospajtime lidhet me injeksionet që jepen në venë dhe kanë cilësi ushqyese (glukoza dhe të ngjashme).

Disa dijetarë mendojnë se këto injeksione e prishin agjërimin, ngase me vete bartin ushqim i cili depërton në trup dhe trupi e shfrytëzon këtë lloj ushqimi. Pasi ushqimi i cili konsumohet përmes gojës e prish agjërimin, atëherë edhe ky lloj ushqimi, po ashtu e prish agjërimin, marrë parasysh se, në fakt, bëhet fjalë ekstraktin e ushqimit i cili arinë drejtpërdrejt në gjak.

Ka dijetarë që mendojnë se edhe këto injeksione nuk e prishin agjërimin, ngase me këto injeksione, në përputhje me normat e të Drejtës Islame, ushqimi nuk është futur në brendësi të trupit përmes ndonjë rruge natyrore (Ky ka qenë mendimi i Muhamed El Muti’it, i cili ka qenë muyfti i Egjiptit; si dhe Shejh Abdurrahman Taxh, i cili ka qenë edhe Shejhul Ez’her-Autoritet më i lartë i Ez’herit). Në fakt, ushqimi nuk është futur aspak, ngase me brendësinë e trupit nuk e nënkuptojnë lukthin.
Nga ana tjetër, këto injeksione nuk e eliminojnë urinë dhe etjen, dhe as që njeriu ndjehet i ngopur pas marrjes së këtyre injeksioneve, ngase nuk futen në lukth dhe nuk kalojnë përmes aparatit tretës. Për hir të së vërtetës, duhet theksuar se njeriu ndjenë pas këtyre injeksioneve një këndellje të caktuar, por kjo vetë nuk mjafton që agjërimi të konsiderohet i prishur. Me fjalë të tjera, edhe ai që gjatë kohës së agjërimit e lanë trupin me ujë të ftohtë, do të ndjejë këndellje, mbase sipas mendimit të shumicës, kjo nuk ia prish agjërimin.

Unë anoj kah mendimi i fundit, dhe e konsideroj të pranuar.

Kjo situatë është e kuptueshme, pasi për këtë lloj injeksionesh kanë nevojë vetëm të sëmurët te të cilët sëmundja ka arritur deri në atë shkallë sa që nuk mund të qëndrojnë pa këto injeksione, ose të sëmurët të cilët kanë pasur operacion dhe patjetër duhet të ushqehen në mënyrë artificiale. Përndryshe, të sëmurët e këtillë duhet të mos agjërojnë, dhe për këtë nuk kanë asnjë mëkat.

(Pjesë e shkëputur nga libri: “Fikhu es sijam”, autor: Jusuf El Karadavi).
Përshtati në shqip: Bashkim Aliu

Post a Comment

0 Comments