A prishet agjërimi nëse bëhen mëkate?
Dr. Jusuf el-Karadavi
Agjërimi është adhurim që e pastron shpirtin, të bën të ndërgjegjshëm, e forcon besimin dhe e përgatit agjëruesin të futet në radhët e njerëzve të devotshëm, pikërisht ashtu siç qëndron në Kur’anin fisnik: << O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm >>.
Nisur nga kjo, agjëruesi duhet ta pastroj agjërimin nga ajo që do ta dëmtojë ose edhe ndoshta do ta bëjë agjërimin e tij jo të vlefshëm. Ai duhet ta ruaj dëgjimin, shikimin, duart, këmbët dhe sytë nga çdo gjë që Allahu e ka ndaluar. Duhet të jetë i kujdesshëm çka flet. Ai nuk duhet të përgojojë, të flet fjalë të liga, të trillojë dhe të flet fjalë të kota. Agjëruesi nuk do ta kthen të keqen me të keqe, por do ta kthen me të mirë. Agjërimi është mburojë e agjëruesit nga mëkatet, e për rrjedhojë edhe nga dënimi i Allahut në Botën Tjetër. Për këtë, të vjetrit kanë thënë se agjërimi pranohet nëse sytë, veshët, duart, këmbët, barku dhe organet gjenitale përmbahen nga epshet dhe lakmitë.
Për këtë ka folur i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., në shumë thënie të tij, e po ashtu, edhe ata që kanë mësuar prej të Dërguarit të Allahut e vërtetojnë të njejtën. Kështu, i Dërguari i Allaut ka thënë: “Agjërimi është mburojë, ashtu që kur dikush prej jush të agjërojë le mos të flet fjalë të ndyta e as mos të sillet me injorancë. Nëse dikush e sulmon ose e shan, le t’i thotë dy herë: Unë jam agjërues” ; “Ai që nuk i len gënjeshtrat dhe veprimin sipas tyre, le ta dijë se Allahu nuk nevojë që ai mos të hajë dhe mos të pijë” ; “Ka agjërues që nga agjërimi u ngelet vetëm uria”.
Shokët e të Dërguatrit të Allahut, si dhe gjeneratat pas tyre, janë munduar që agjërimi t’i pastrojë ata shpirtërisht dhe trupërisht, dhe pastaj t’i eliminojnë mëkatet nga vetja. Në këtë drejtim, Omer ibn Hattabi ka thënë: “Agjërimi nuk është që ta braktisësh vetëm hajen dhe pijen, por duhet braktisur gënjeshtrën, të pavërtetat dhe gjërat e kota”. Ndërkaq, Xhabir ibn Abdilahi ka thënë: “Kur agjëron, le të agjërojë edhe shikimi dhe gjuha nga gënjeshtra dhe veset e liga, mos i shqetëso të tjerët, jij i qetë dhe i përmbajtur dhe mos lejo që ditët në të cilat agjëron të jenë të njejta si ditët në të cilat nuk agjëron”....
Nisur nga kjo, disa nga dijetarët e gjeneratave të para kanë qenë të mendimit se mëkatet e prishin agjërimin. Kështu, sipas tyre, ai që me gjuhë bën gjëra të ndaluara, siç janë: përgojimi, shpifja ose gënjeshtra, e ka prishur agjërimin. Po ashtu, edhe ai që dëgjon fjalë të ndyta dhe të kota, ose me epsh shikon zbukurime të grave që për të janë të ndaluara, agjërimin e ka prishur. Këtë tretman e ka edhe ai që padrejtësisht e dëmton një njeri ose kafshë, ai që e merr atë që nuk i takon, ai që shkon në mëkate, si dhe të gjithë ata që bëjnë gjëra të ndaluara.
Gjuha, veshët, sytë, duart, këmbët, barku dhe organet gjenitale e prishin agjërimin. Në këtë kuptim, disa dijetarë nga gjeneratat e para kanë thënë se të gjitha mëkatet e prishin agjërimin, dhe për rrjedhojë, ai që bën ndonjë mëkat gjatë agjërimit, është i detyruar që atë ditë ta kompenzojë me agjërim. Disa nga sahabet dhe tabi’inët (pasardhësit e sahabeve) këtë e kanë shprehur qartë, ndërsa kështu mendon edhe Imam Euzaiju, i cili mbështetet në këtë mendim edhe nga Ibn Hazmi.
Ndërkaq, shumica e dijetarëve mbajnë qëndrimin se mëkatet nuk e prishin agjërimin, mbase e dëmtojnë dhe e gjymtojnë, varësisht prej asaj a janë mëkate të mëdha ose të vogla. Me fjalë të tjera, askush nuk është imun nga mëkatet, në veçanti nga mëkatet që bëhen me gjuhë. Për këtë, Imam Ahmedi ka thënë: “Sikur përgojimi ta prishte agjërimin, atëherë asnjëri prej nesh nuk do të kishte agjërim të vlefshëm”. Kur këtë e thotë Imam Ahmedi, i njohur për devotshmërinë, përultësinë dhe përkushtimin e tij, çka mund të thonë të tjerët?! Shumica e dijetarëve thonë se mëkatet nuk e prishin agjërimin siç e prish haja dhe pija, por mëkatet e pakësojnë shpërblimin e agjërimit.
Imam Ebu Bekër ibn El Arebij në lidhje me hadithin: “Ai që nuk i len gënjeshtrat dhe veprimin sipas tyre, le ta dijë se Allahu nuk nevojë që ai mos të hajë dhe mos të pijë”, ka shpjeguar se kuptimi i këtij hadithi është se personi i cili bën diçka nga ajo që u përmend, nuk do të fitojë shpërblim për agjërimin e tij, ngase shpërblimi për agjërim nuk bashkohet me thënien e gënjeshtrave....
(Pjesë e shkëputur nga libri: “Fikhu es sijam”, autor: Jusuf El Karadavi).
Përshtati në shqip: Bashkim Aliu

0 Comments