A është më mirë për udhëtarin të agjërojë apo të mos agjërojë?
Dr. Jusuf el-Karadavi
Dijetarët kanë mendime të ndryshme lidhur me çështjen nëse për udhëtarin është më mirë të agjërojë apo të mos agjërojë.
Disa dijetarë, ndër të cilët edhe Ebu Hanife, Maliku dhe Shafi’iu, janë të mendimit se personi që mund ta përballojë agjërimin dhe të cilit agjërimi nuk i shkakton vështirësi gjatë udhëtimit, më mirë është të agjërojë. Ata e bazojnë mendimin e tyre në faktin se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka agjëruar gjatë udhëtimit, ndërsa ai gjithmonë e ka zgjedhur atë që është më e mira. Krahas kësaj, mund të ndodhë që udhëtari që nuk ka agjëruar ta neglizhojë kompensimin e ditëve të lëshuara dhe të vdesë, duke i mbetur ato pa i agjëruar.
Ata që argumentohen me fjalët e të Lartmadhërishmit: «... po qe se e dini, agjërimi është më i mirë për ju», nuk kanë të drejtë, sepse këto fjalë nuk i referohen çështjes për të cilën po diskutojmë.
Nga ana tjetër, Euzaiju, Ahmedi dhe Is’haku janë të mendimit se më mirë është të mos agjërohet, duke u nisur nga shfrytëzimi i lehtësimeve, pasi Allahu i Madhërishëm dëshiron që njerëzit t’i shfrytëzojnë lehtësimet që Ai ua ka dhënë. Këtij mendimi i shtohet edhe transmetimi: “Jeni të obliguar t’i shfrytëzoni lehtësimet që ua ka dhënë Allahu.” Në versionin që e përcjell Hamza el-Eslemij thuhet: “Ai që nuk agjëron në udhëtim ka vepruar mirë, ndërsa ai që dëshiron të agjërojë, nuk bën asgjë të gabuar.”
Ndërmjet këtyre dy mendimeve ka dallime.
Sipas Omer ibn Abdil Azizit, Muxhahidit dhe Katades, në rastin e udhëtarit më mirë është të veprohet ajo që është më e lehtë. Ky është një mendim i arsyeshëm dhe e ka pranuar edhe Ibn Mundhiri.
Disa dijetarë të tjerë janë të mendimit se udhëtari ka të drejtë të zgjedhë ndërmjet agjërimit dhe mosagjërimit, pasi i lejohet të bëjë njërën ose tjetrën. Siç duket, këta dijetarë janë bazuar në transmetimin e Ebu Davudit dhe Hakimit nga Hamza el-Eslemiju. Në këtë transmetim thuhet se ai e ka pyetur të Dërguarin e Allahut: “O i Dërguari i Allahut, unë kam kafshë transporti të cilat i ushqej, udhëtoj me to dhe i jap me qira. Kur vjen Ramazani, mund të jem në udhëtim dhe në gjendje të agjëroj. Për mua është më e lehtë të agjëroj gjatë udhëtimit sesa ta shtyj agjërimin për më vonë e të më mbetet borxh.” I Dërguari i Allahut i tha: “Vepro si të duash.”
ÇFARË DUHET TË KETË PRIORITET?
Unë mendoj se duhet të përzgjidhet mendimi i Omer ibn Abdil Azizit, sepse i Dërguari i Allahut s.a.v.s., kur është dashur të zgjedhë ndërmjet dy gjërave, gjithmonë e ka zgjedhur atë që ishte më e lehtë, përderisa nuk ishte mëkat. Prandaj, atyre që nuk e kanë të vështirë të agjërojnë kur të gjithë agjërojnë dhe u vjen rëndë të agjërojnë kur të tjerët nuk agjërojnë, më mirë është të agjërojnë edhe gjatë udhëtimit. Ndërsa ata që e kanë të vështirë të agjërojnë në udhëtim, më mirë është t’i kompensojnë ditët e paagjëruara pas Ramazanit.
Ekzistojnë pikëpamje se gjatë udhëtimit më e rëndësishme është të agjërohet, ashtu siç ka edhe mendime se më e rëndësishme është të mos agjërohet. Duke marrë parasysh rëndësinë që ka sot udhëtimi, është e nevojshme të jepen sqarime për këtë çështje.
NË CILAT RASTE ËSHTË MË MIRË TË AGJËROHET GJATË UDHËTIMIT?
Personi që ka frikë se do ta ketë të vështirë të gjejë kohë për kompensimin e agjërimit, ose ka frikë nga përtacia në plotësimin e ditëve të paagjëruara, më mirë është të agjërojë.
Gjithashtu, më mirë është të agjërojë udhëtari që bën një udhëtim komod dhe nuk përballet me vështirësi, siç janë udhëtimet me aeroplan në kohën tonë.
Kjo vlen edhe për personin që gjatë udhëtimit ndalet në një vend për një kohë të caktuar, duke vazhduar të konsiderohet udhëtar, përveç rasteve kur kryen punë të rënda.
Po ashtu, më mirë është të agjërojë personi që udhëton në një distancë më të shkurtër se ajo që shumica e dijetarëve e konsiderojnë si udhëtim (rreth 90 kilometra). Për një person të tillë zakonisht as nuk thuhet se është udhëtar.
Një rast i ngjashëm është edhe ai i personave që udhëtojnë për shkak të punës, si pilotët, marinarët, taksistët, shoferët e kamionëve dhe të autobusëve etj. Këta persona e kanë të lejuar të mos agjërojnë, sepse konsiderohen udhëtarë, por më mirë për ta është të agjërojnë nëse agjërimi nuk u shkakton vështirësi të mëdha ose probleme në kryerjen e punës. Kjo për shkak se mund ta kenë të vështirë ta kompensojnë më vonë agjërimin.
KUR ËSHTË MË MIRË TË MOS AGJËROHET GJATË UDHËTIMIT?
Ka situata kur për udhëtarin është më mirë të mos agjërojë:
Në rast se agjërimi do të shkaktonte lodhje të madhe, siç është rasti me udhëtimin që bëhet gjatë verës, kur është vapë e madhe, ose në rast se udhëtohet me aeroplan nga lindja kah perëndimi, ashtu që në këtë rast dita do t’i zgjatej shumë, si rezultat i dallimeve kohore.
Në raste të këtilla nuk është e rekomanduar të agjërohet, bile edhe është e ndaluar, në rast se vështirësia e agjërimit në raste të këtilla arrinë deri në atë masë sa ta dëmtojë agjëruesin. Në këtë drejtim flet edhe hadithi të cilin e ka transmetuar Xhabir ibn Abdilahi i cili ka thënë: “Në një rast, derisa i Dërguari i Allahut s.a.v.s., ishte në udhëtim, vërejti se si njerëzit janë mbledhur rreth një personi të cilit i bënin hije. Ai i pyeti: ‘Çka ka ndodhur?’ Iu përgjigjën: Është një person që agjëron. Atëherë i Dërguari i Allahut tha: ‘Nuk është vepër e mirë të agjërohet në udhëtim’”. Nëse ky hadith do të konsiderohej se ka kuptim të përgjithshëm, atëherë kuptimi i tij do të ishte se nuk konsiderohet vepër e mirë kurdo që të agjërohet gjatë udhëtimit, gjegjësisht do të ishte mëkat. Mirëpo, shkaku dhe konteksti i këtij hadithi, krahas haditheve të tjera të cilët flasin për këtë temë, flasin se në hadithin e përmendur është për qëllim se nuk bëhet një vepër e mirë nëse agjërohet në udhëtimin i cili shkakton mundime të mëdha.
Nëse një person udhëton bashkë me një grup ku individët duhet t’i bëjnë shërbime njëri-tjetrit dhe të ndihmohen mes veti, dhe nëse kjo do të ishte pjesërisht ose tërësisht e pamundur nëse agjërohet, atëherë do të ishte më mirë të mos agjërojë me qëllim që të participojë në ndihmën e ndërsjellë dhe me qëllim që mos u bëhet barë të tjerëve.
Buhariju dhe Muslimi transmetojnë se Enesi ka thënë: “Udhëtuam me të Dërguarin e Allahut, s.a.v.s. Në mesin tonë kishte edhe agjërues edhe jo agjërues. U ndalëm në një vend. Bënte vapë e madhe. Hije më tepër kishin ata që i shtronin rrobat e tyre. Kishte edhe të atillë që me duar mbroheshin prej diellit. Ata që agjëronin ranë përtokë, ndërkaq ata që nuk agjëronin u ngritën, i vendosën tendat, u dhanë ujë deveve....”. Në një version tjetër të këtij hadithi qëndron: “Ata që agjëronin, nuk bënin asgjë, ndërkaq ata që nuk agjëronin i dërguan devetë t’u japin ujë, shërbenin dhe i përgadisnin gjërat. Për këtë, i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., tha: ‘Sot, ata që nuk agjëruan, e morën shpërblimin’”.
Ata e kanë marrë shpërblimin sepse kanë qenë në shërbim të vëllezërve të vet duke i dërguar devetë që të pinë ujë, janë përkujdesur për pastrimin dhe përgaditjen e ushqimit, si dhe për ushqimin e deveve.
Disa herë, të mos agjërohet në udhëtim është më mirë edhe me qëllim që të njerëzit të kuptojnë se mos agjërimi në udhëtim është sunet dhe që t’u bëhet me dije se është lehtësim. Kjo, ngase te disa njerëz është ngulitur mendimi se nuk është e lejuar të mos agjërohet në udhëtim, gjegjësisht se kjo nuk u ka hije besimtarëve, si dhe i qortojnë ata që nuk agjërojnë në udhëtim. Në situatë të këtillë në veçanti është e rekomanduar të mos agjërojnë njerëzit e ditur dhe të devotshëm, të cilët merren si shembull nga të tjerët.
(Pjesë e shkëputur nga libri: “Fikhu es sijam”, autor: Jusuf El Karadavi).
Përshtati në shqip: Bashkim Aliu

0 Comments