Nëse një person ka shumë agjërime kaza, si duhet t’i plotësojë?
Personi që e ka pasur detyrim agjërimin e Ramazanit dhe nuk e ka mbajtur, ose nuk ka mundur ta mbajë për shkak të një arsyeje të vlefshme, ai së pari duhet ta përcaktojë numrin e ditëve të lëna. Pastaj këto ditë i kompenson (kaza) në ditë të tjera, përveç ditëve të Bajramit kur agjërimi është i ndaluar.
Për çdo ditë kaza është e përshtatshme të bëhet nijet me fjalët: “Po bëj nijet ta agjëroj ditën e parë që më ka mbetur borxh.”
Sa i përket llogaritjes së agjërimeve të mbetura për kaza, mund të paraqiten dy raste:
a. Personi mund të mos ketë agjëruar asnjëherë që nga momenti kur është bërë i obliguar (mukellef). Në këtë rast, për çdo vit që ka kaluar që nga arritja e moshës së pjekurisë, ai duhet ta llogarisë një muaj hënor - që është njëzet e nëntë ose tridhjetë ditë; për siguri është e përshtatshme të merret si bazë tridhjetë ditë - dhe t’i plotësojë ato agjërime.
b. Personi mund të ketë lënë për kaza vetëm disa ditë pas obligimit. Në këtë rast, duhet të përpiqet sa më shumë ta llogarisë numrin e saktë të ditëve të paagjëruara dhe t’i kompensojë ato ditë për ditë.
Ata që e kanë lënë agjërimin pa arsye të vlefshme, krahas kazasë duhet të bëjnë edhe teube dhe istigfar.
Burimi: Diyanet İşleri Başkanlığı, “Oruç - Sıkça sorulanlar”
Nga turqishtja: Rehan Neziri

0 Comments