Kur dhe si bëhet nijeti për agjërim?
Nijeti është një nga kushtet e agjërimit. Agjërimi pa nijet nuk është i vlefshëm. Mjafton nijeti me zemër, por shprehja e tij me gojë është e pëlqyeshme (mendub). Edhe ngritja në syfyr konsiderohet nijet për agjërim.
Për agjërimin e Ramazanit, për agjërimet e betuara në ditë të caktuara dhe për agjërimet vullnetare (nafile), koha e nijetit fillon nga perëndimi i diellit dhe vazhdon deri para se dielli të arrijë pikën më të lartë në mesditë (para zevalit). Megjithatë, që nijeti i bërë pas imsakut të jetë i vlefshëm, prej atij momenti nuk duhet të jetë ngrënë apo pirë asgjë dhe nuk duhet të jetë kryer ndonjë veprim që e prish agjërimin. Përndryshe, nijeti i bërë gjatë ditës nuk është i lejueshëm.
Për këto agjërime, mjafton një nijet i përgjithshëm, si p.sh.: “po bëj nijet të agjëroj nesër”. Megjithatë, është më e virtytshme që nijeti të bëhet natën dhe të përcaktohet: “po bëj nijet për agjërimin e ditës së nesërme”. Për çdo ditë të Ramazanit kërkohet nijet i veçantë.
Sa u përket agjërimeve kaza, kefaret dhe atyre të betuara pa një kohë të caktuar, nijeti duhet të bëhet nga perëndimi i diellit deri më së voni në kohën e imsakut. Në këto raste, gjatë nijetit duhet të përcaktohet qartë lloji i agjërimit, si p.sh.: “po bëj nijet për kaza”, “për kefaret” ose “për agjërim të betuar”.
Burimi: Diyanet İşleri Başkanlığı, “Oruç - Sıkça sorulanlar”
Nga turqishtja: Rehan Neziri

0 Comments