Cilat janë arsyet që e bëjnë të lejueshëm mosagjërimin?
Feja Islame, si parim, i ngarkon njerëzit me përgjegjësi sipas mundësisë së tyre dhe, në raste që e tejkalojnë fuqinë apo shkaktojnë vështirësi të mëdha, sjell dispozita lehtësuese. Në përputhje me këtë parim të përgjithshëm, për agjërimin farz të Ramazanit janë parashikuar disa lehtësime (ruhsah) që e lejojnë shtyrjen e tij në rrethana të caktuara. Në Kur'an thuhet: “O ju që besuat! Agjërimi ju është bërë detyrë, ashtu siç u qe bërë detyrë edhe atyre para jush, që të bëheni të devotshëm. (Jeni të obliguar për) Ditë të caktuara, e kush është i sëmurë prej jush ose është në udhëtim (e nuk agjëroi), atëherë ai (le të agjërojë) më vonë aq ditë. E ata që i rëndon ai (nuk mund të agjërojnë), janë të obliguar për kompenzim, ushqim (ditor), i një të varfëri. Ai që nga vullneti jep më tepër, ajo është aq më mirë për të. Mirëpo, po qe se e dini, agjërimi është më i mirë për ju. ” (el-Bekara, 2:183-184)
Dijetarët islamë, duke u mbështetur në këtë ajet fisnik dhe në hadithet përkatëse, i kanë renditur kështu arsyet që e bëjnë të lejuar mosagjërimin e Ramazanit:
UDHËTIMI: Ai që gjatë Ramazanit niset për një udhëtim në një distancë që konsiderohet udhëtim (sefer) – pra të paktën nëntëdhjetë kilometra (90 km) – mund të mos e bëjë nijetin e agjërimit që nga nata. Megjithatë, nëse e ka bërë nijetin dhe më pas gjatë ditës niset për udhëtim, atëherë, nëse gjatë udhëtimit nuk ka ndonjë arsye tjetër të ligjshme, nuk duhet ta prishë agjërimin. Një adhurim i nisur duhet të përfundohet, përveç nëse ekziston një arsyetim i vlefshëm. Meqenëse udhëtimi përbën një arsye të ligjshme, nëse personi e prish agjërimin pasi ka filluar statusi i udhëtarit (seferi), ai nuk obligohet me kefaret (shpagim të rëndë), por vetëm me kaza, domethënë ta kompensojë atë ditë më vonë.
SËMUNDJA: Personit që, nëse agjëron, i shtohet ose i zgjatet sëmundja, si dhe atij që për shkak të sëmundjes e ka të vështirë të agjërojë, i është dhënë leje që të mos agjërojë në muajin Ramazan, me kusht që t’i kompensojë (kaza) ato ditë pasi të shërohet. Edhe ai për të cilin mjeku konstaton se, nëse agjëron, do të sëmuret, konsiderohet në të njëjtin status si i sëmuri.
PLEQËRIA: Personat që janë aq të moshuar sa nuk kanë më fuqi të agjërojnë, mund të mos agjërojnë dhe në vend të tij të japin fidje. Në ajetin 184 të sures el-Bekara në Kur'an është përcaktuar se ata që nuk kanë mundësi ta përballojnë agjërimin, duhet të japin fidje duke e ushqyer një të varfër. Në të njëjtin status hyjnë edhe të sëmurët për të cilët nuk ka shpresë shërimi.
URIA OSE ETJA NË SHKALLË TË RËNDË: Personi që, për shkak të urisë ose etjes, rrezikon dëmtim serioz të shëndetit fizik apo mendor, lejohet ta prishë agjërimin. Nëse gjendja shëndetësore përmirësohet, dita e prishur kompensohet (kaza) pas Ramazanit. Nëse vazhdimi i agjërimit në një gjendje të tillë do të çonte deri në rrezik për jetën, atëherë mosprishja e agjërimit – pra vazhdimi i tij – bëhet e ndaluar (haram).
PUNA E RËNDË DHE E MUNDIMSHME: Në parim, nuk është e drejtë që një person të punojë apo të detyrohet të punojë në punë aq të rënda sa t’ia pamundësojnë kryerjen normale të adhurimeve (ibadeteve). Megjithatë, rrethana të ndryshme personale apo shoqërore mund ta bëjnë të domosdoshme që disa njerëz të angazhohen në punë të tilla. Nëse një person në këtë gjendje druhet se, po të agjërojë, do t’i dëmtohet shëndeti, ai mund të mos agjërojë. Ata që ndodhen në një situatë të tillë duhet t’i kompensojnë (kaza) ditët e paagjëruara në ditët e pushimit ose në kohë të përshtatshme më vonë.
SHTATZANIA DHE GJIDHËNIA: Gratë shtatzëna ose ato që janë me fëmijë në gji, nëse ekziston mundësia që nga agjërimi të dëmtohen ato vetë ose fëmija, konsiderohen si ata/ato që nuk e kanë gjendjen shëndetësore të përshtatshme për të agjëruar. Në një rast të tillë, ato mund të mos agjërojnë. Madje, nëse gjasat e dëmtimit janë të mëdha, mosagjërimi bëhet i domosdoshëm. Kur gjendja e tyre të normalizohet, ato i kompensojnë (kaza) ditët e lëna pa agjëruar.
Fakihët (juristët islamë) kanë parapëlqyer që lehtësimi për mosagjërim të kufizohet vetëm në arsyet e përmendura në Kur'an dhe në Sunnet. Edhe pse veçoria e përbashkët e këtyre arsyeve është vështirësia (meshakkati), ata janë treguar të kujdesshëm të mos pranojnë që në çdo gjendje të vështirë të lejohet mosagjërimi.
Kur shkaku që e ka bërë të lejueshëm mosagjërimin zhduket, ditët e lëna pa agjëruar kompensohen (kaza). Nëse ekziston një pengesë e përhershme për agjërim - si sëmundja e pashërueshme ose pleqëria e thellë - atëherë për çdo ditë të paagjëruar jepet një fidje. Fidja e një dite agjërimi është në masën e një sadakaje të fitrit. Ndërsa sadakaja e fitrit përbën sasinë e ushqimit që mjafton për ta ushqyer një person me mesatare për një ditë, ose vlerën e saj në para.
Burimi: Diyanet İşleri Başkanlığı, “Oruç - Sıkça sorulanlar”
Nga turqishtja: Rehan Neziri

0 Comments