Çfarë do të thotë fidja e agjërimit?
Fidja është një detyrim fetar me karakter material që paguhet në rast se disa adhurime nuk kryhen, ose gjatë kryerjes së tyre bëhen disa mangësi. Në lidhje me ibadetet, fidja haset te agjërimi dhe te haxhi. Personi që nuk mund të agjërojë për shkak të pleqërisë ose të një sëmundjeje pa shpresë shërimi, dhe që nuk ka mundësi ta kompensojë më vonë (kaza), paguan një fidje për çdo ditë që nuk ka agjëruar. Në Kur'an thuhet: “Ata që nuk kanë mundësi të agjërojnë, japin fidje, duke ushqyer një të varfër.” (el-Bekara, 2:184).
Shuma e një fidjeje është e barabartë me masën e një sadakaje të fitrit.
Sadakaja e fitrit është sasia e ushqimit që mjafton për ta ushqyer një person për një ditë, ose vlera e saj në para. Ai që është i detyruar të japë fidje, por nuk ka mundësi materiale për ta bërë këtë, kërkon falje prej Allahut.
Të sëmurët ose të moshuarit që nuk mund të agjërojnë për shkak të ditëve të gjata, nëse janë në gjendje të agjërojnë në ditët e shkurtra, duhet t’i kompensojnë (kaza) ato ditë në periudha më të përshtatshme. Në këtë rast, fidjet që kanë dhënë konsiderohen sadaka (lëmoshë).
Fidja e agjërimit mund të jepet e gjitha njëherësh në fund të muajit Ramazan, por mund të jepet edhe çdo ditë gjatë Ramazanit, ose që në fillim të tij.
Burimi: Diyanet İşleri Başkanlığı, “Oruç - Sıkça sorulanlar”
Nga turqishtja: Rehan Neziri

0 Comments