Advertisement

Responsive Advertisement

A është kusht shikimi i hënës së re për të filluar me agjërimin?

 

A është kusht shikimi i hënës së re për të filluar me agjërimin?

A është kusht shikimi i hënës së re për të filluar me agjërimin?

Muajt hënorë, siç kuptohet edhe nga vetë emërtimi, janë muajt fillimi dhe mbarimi i të cilëve përcaktohet sipas lëvizjeve të hënës. Meqenëse agjërimi i Ramazanit kryhet në muajin Ramazan dhe ky muaj, sipas kalendarit hënor, ndryshon çdo vit, për të filluar agjërimin duhet së pari të përcaktohet hyrja e muajit Ramazan.
Muhammedi s.a.v.s. ka thënë: “Kur ta shihni hilalin (hënën e re, të Ramazanit), filloni agjërimin; dhe kur ta shihni hilalin (e Shevalit), festoni Bajramin. Nëse moti është i vranët, plotësojeni muajin në tridhjetë ditë.” (Buhaiu, Saum, 5, 11; Muslimi, Sijam, 3-4, 7-9). Në shikim të parë, ky hadith krijon përshtypjen se pa u parë hilali me sy të lirë nuk duhet të fillohet agjërimi dhe as të festohet Bajrami.

Mirëpo, kur merren në konsideratë edhe transmetime të tjera mbi këtë çështje, kuptohet se qëllimi i këtyre haditheve ka qenë të mësohet metoda më e përshtatshme sipas kushteve të asaj kohe. Në një transmetim tjetër, Muhammedi s.a.v.s. ka thënë: “Ne jemi një popull ummij (i paarsimuar); nuk dimë të bëjmë llogari dhe as të shkruajmë. E dimë vetëm se muaji ka ose 29, ose 30 ditë.” (Buhariu, Saum, 13; Muslimi, Sijam, 15; Ebu Davudi, Saum, 4). Me këtë ai ka lënë të kuptohet se për përcaktimin e fillimit të muajve hënorë mund të merret parasysh edhe metoda e llogaritjes.

Qoftë të shihet me sy të lirë apo jo, hëna e vazhdon lëvizjen e saj të rregullt. Në Kur'an theksohet se dielli dhe hëna lëvizin sipas një përllogaritjeje të caktuar (er-Rahman, 55:5), se ato janë bërë, ndër të tjera, edhe si mjete matjeje (el-En‘am, 6:96), se hënës i janë caktuar faza për ta ditur numrin e viteve dhe llogarinë e kohës (Junus, 10:5), se me krijimin e qiejve dhe të tokës është vendosur një rend prej dymbëdhjetë muajsh (et-Teubeh, 9:36), dhe se fazat e hënës – duke filluar nga hilali (hëna e re) e duke u shfaqur shkallë-shkallë në forma të ndryshme - janë masa kohore për njerëzit dhe për Haxhin (el-Bekara, 2:189).

Prandaj, Muhammedi s.a.v.s. e ka përmendur shikimin e hënës së re me sy të lirë jo si metodën e vetme të mundshme, por si mënyrën më të sigurt sipas kushteve të kohës së tij. Qëllimi i vëzhgimit të hënës së re është të përcaktohet hyrja e muajit Ramazan.

Për këtë arsye, përveç shikimit me sy të lirë, është e lejueshme të përdoren edhe metoda të tjera që na çojnë drejt këtij qëllimi. Sot, zhvillimi teknologjik i njerëzimit na mundëson ndjekjen me saktësi të madhe të lëvizjeve të hënës. Madje, nëpërmjet llogaritjeve të imta astronomike, është bërë e mundur përgatitja e kalendarëve që tregojnë kohët e namazit për vite me radhë.

Si rrjedhojë, përcaktimi i fillimit të muajve hënorë nëpërmjet metodës së llogaritjes është i lejueshëm.

Burimi: Diyanet İşleri Başkanlığı, “Oruç - Sıkça sorulanlar”

Nga turqishtja: Rehan Neziri

Post a Comment

0 Comments