Advertisement

Responsive Advertisement

Hutbe - E Drejta e Vëllazërisë

 

Hutbe - E Drejta e Vëllazërisë

Hutbeja e Xhumasë - 26.09.2025
E Drejta e Vëllazërisë
اِنَّمَا الۡمُؤۡمِنُوۡنَ اِخۡوَۃٌ فَاَصۡلِحُوۡا بَیۡنَ اَخَوَیۡکُمۡ وَ اتَّقُوا اللّٰہَ لَعَلَّکُمۡ تُرۡحَمُوۡنَ
Të nderuar besimtarë!
Në fenë Islame, parimi që përcakton marrëdhëniet mes myslimanëve është e drejta e vëllazërisë. Allahu i Madhëruar në suren Huxhurat thotë: “Besimtarët janë vetëm vëllezër; prandaj pajtoni vëllezërit tuaj dhe kini frikë Allahun që të mëshiroheni.” (Huxhurat, 49:10)
Shenja më e dukshme e vëllazërisë në jetën e përditshme është dashuria. I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“Ju nuk do të hyni në xhenet derisa të besoni, e nuk do të besoni derisa të doni njëri-tjetrin. A doni t’ju tregoj diçka që po ta bëni do të doni njëri-tjetrin? Përhapni selamin mes jush.” (Muslim, Iman 93-94; Tirmidhi, Et’ime 45)
Nga hadithi kuptojmë se një nga kushtet më të rëndësishme për plotësimin e imanit dhe kënaqësinë e Allahut është që të duam vëllezërit tanë myslimanë.
Vëllezër të nderuar!
Dashuria nuk është vetëm një fjalë e thatë, por një ndjenjë që sjell përgjegjësi. Një mysliman është ai që i jep hakun dashurisë për vëllain e tij. I Dërguari ﷺ ka thënë:
“Asnjëri prej jush nuk është besimtar i plotë derisa të dojë për vëllain e tij atë që do për veten e tij.”(Buhariu, Iman 7; Muslimi, Iman 71)
Pra, çdo të mirë që dëshirojmë për veten, duhet ta dëshirojmë edhe për vëllezërit tanë. Madje shkalla më e lartë e kësaj është të preferojmë nevojat e vëllait mbi nevojat tona. Ky ishte shpirt i gjallë tek sahabët, dhe është shembull i madh për ne sot, në një kohë kur egoizmi sundon.
Të dashur besimtarë!
Çdo Mysliman, pavarësisht ngjyrës, gjuhës apo prejardhjes etnike, është një tullë e vlefshme në ndërtesën e vëllazërisë islame. I Dërguari ﷺ duke shpjeguar marrëdhënien mes besimtarëve, bashkoi gishtat e tij dhe tha:
“Besimtarët janë si tullat e një ndërtese që lidhen fort me njëra-tjetrën.” (Buhariu, Salat 88; Muslimi, Birr 17)
Në një hadith tjetër tha:
“Mos u kini smirë njëri-tjetrit, mos mashtroni njëri-tjetrin në tregti, mos e urre njëri-tjetrin dhe mos ia ktheni shpinën njëri-tjetrit. O robërit e Allahut, bëhuni vëllezër! Myslimani është vëllai i myslimanit; nuk i bën padrejtësi, nuk e lë vetëm dhe nuk e përçmon.” (Muslim, Birr 10)
Pastaj tregoi me dorë nga gjoksi i tij dhe tha tri herë: “Devotshmëria është këtu.” Dhe përfundoi: “Mjafton si e keqe për njeriun që ta përçmojë vëllain e tij mysliman. Çdo gjë e myslimanit – gjaku, pasuria dhe nderi i tij – janë të ndaluara për myslimanin tjetër.”
Pra, të ndjejmë dhembje për problemet e vëllezërve tanë kudo që jetojnë, është pjesë e vëllazërisë Islame. Indiferenca ndaj hallit të umetit është një mangësi e madhe në besim.
Të dashur vëllezër!
Përçarjet dhe konfliktet në botën Islame janë rezultat i largimit nga e drejta e vëllazërisë që e ka urdhëruar Allahu. I Dërguari i Allahut ﷺ, që ishte shumë i mëshirshëm ndaj umetit, ka thënë:
“Muslimanit nuk i lejohet të qëndrojë i zemëruar me vëllain e tij më shumë se tri ditë.” (Buhariu, Edeb 57; Muslimi, Birr 26)
Prandaj, edhe zemërimi mes myslimanëve nuk është i lejuar të zgjasë. Nëse ne e ringjallim shpirtin dhe të drejtën e vëllazërisë, siç ishte në kohën e as’habëve, atëherë do të fitojmë mëshirën dhe begatinë e Allahut.
O Allah i Madhëruar!
Na bëj të arrijmë ditët kur vëllazëria Islame të vendoset plotësisht. Na bëj secilin prej nesh shkak për këtë të mirë. Amin!
Përktheu dhe përshtati: Mr. Mahmud Emini – Referent i Myftinisë së Tetovës

Post a Comment

0 Comments