O Pejgamber, ti erdhe tek ne me fenë e pastër dhe me Librin gjithëpërfshirës. Ne mësojmë se në të gjendet përgjigjja për të gjitha pyetjet dhe dilemat tona të nevojshme. Ai është: “Tibjanen li-kul-li shej’in” – sqarim për çdo gjë. Por, që ai të jetë përgjigje për të gjitha pyetjet, duhet ta lexojnë ata që besojnë fuqishëm dhe që dinë. Ata që besojnë me bindje të palëkundur se ai është e vërteta e plotë dhe që dinë se ajetet e tij japin udhëzime, tregojnë rrugën, ndërsa njeriu i devotshëm dhe i ditur, në përputhje me kohën dhe rrethanat, në të i gjen përgjigjet.
Ti, o Pejgamber, na tregove neve dhe mbarë njerëzimit se Kurani është praktikë, se ajetet e tij janë jetë, sepse jeta jote ishte Kurani. Shokët e tu, duke mësuar prej teje, na kanë treguar se ata nuk mësonin përmendësh një ajet të ri që shpallej, derisa ajetin e zbritur më parë nuk e kishin futur në jetën e tyre. Ne i admirojmë ata për bindjen dhe gatishmërinë e tyre për sakrificë dhe i përmendim shpesh, me shpresë që t’u afrohemi.
Ti erdhe, linde në muajin rebiul-evvel dhe ike, e braktise këtë botë në të njëjtin muaj, ndërsa neve na le Librin gjithëpërfshirës dhe atë që e ke shndërruar në praktikë, Sunetin tënd. Kanë kaluar më shumë se katërmbëdhjetë shekuj dhe askush nuk mund të thotë se diçka nga ajo që na solle është tejkaluar. Por ne sot nuk po e gjejmë rrugën, nuk dimë t’i gjejmë përgjigjet se si të dalim nga agonia në të cilën po jetojmë, e cila shfaqet në mosmarrëveshje, në përçarje, në varfërinë e një numri të madh të pasuesve të tu, në pafuqinë përballë tiranëve…
Ndoshta nuk po mund ta gjejmë atë rrugë drejt krenarisë dhe dinjitetit që ofron Islami, të cilën, sipas fjalëve të Omerit (radijallahu anhu), e gjetën sahabët dhe gjeneratat e para, sepse për shumë shekuj nga këta 14 shekuj të përmendur po merremi me çështje tashmë të zgjidhura, tashmë të përcaktuara. Ndërsa rihapja e këtyre çështjeve dhe përgjigjeve të zgjidhura e të përcaktuara, vetëm sa i thellon edhe më shumë përçarjet dhe mosmarrëveshjet mes nesh.
Ne, o Pejgamber, nuk kemi kurrfarë dyshimi se të duam ty dhe dashurinë tonë ndaj teje e shprehim edhe kur mblidhemi për të recituar, për të shqiptuar dhe për të kënduar vargje që thonë se kur ti linde, çdo krijesë u gëzua; dhe kur ngrihemi me përkushtim para teje. E kur i këndojmë ato vargje, të cilat me një titull të përbashkët quhen Mevlud, ne dërgojmë edhe shumë salavate, duke synuar shefatin tënd dhe duke pritur nga Zoti i botëve që të na dhurojë dhjetëfish për secilin salavat.
Por kjo mënyrë e shprehjes së dashurisë ndaj teje po kundërshtohet dhe, në vend që ta kërkojmë mënyrën se si të arsimohemi më mirë, si të prodhojmë më shumë, si të jemi xhemat më i fuqishëm, si të kërkojmë përgjigje për sfidat e kohës së sotme, ne e humbim forcën dhe energjinë në debat të padobishëm se a është shprehur drejt dashuria jonë ndaj teje.
Ndërsa ne, kur i themi këto vargje për nderin tënd dhe nga dashuria për ty, jemi xhemat në shtëpinë e Allahut, kurse ata që na e kundërshtojnë këtë formë të shprehjes së dashurisë ndaj Pejgamberit të dashur, kanë sjellë çrregullim në xhamitë tona: pantallona të shkurtra me të cilat falen, shpërfilljen e suneteve të namazit e kështu me radhë.
E pra, kush të do më shumë: ata që thirren në Sunet, por në jetën e tyre nuk ka Sunet, apo ata që, përveç të gjitha këtyre suneteve, të madhërojnë edhe me vargje, ashtu siç vepronte i afërti yt, Hasan bin Thabiti?
Ne, o Pejgamber, të duam edhe kur e falim teravinë me njëzet rekate, siç është vendosur me ixhtihadin e Omerit (radijallahu anhu), me qëllim që të ruhej uniteti i xhematit. Ne duam të veprojmë kështu, ndërsa ndërmjet çdo katër rekatesh të teravisë dërgojmë salavate për ty, duke të dërguar selam dhe bekim nga Zoti, e prej Zotit kërkojmë edhe për veten tonë dhjetëfishin e shpërblimit.
Tani, ti më thuaj: a është më e dukshme dashuria jonë ndaj teje, apo e atyre që shkaktojnë çrregullim në xhemat dhe pas tetë rekateve të teravisë dalin nga xhamia, ndërsa neve na konsiderojnë bidatçinj?
Në vend që të kërkojmë përgjigje për çështjet e kohës së sotme, për shembull, si do t’i përgjigjen muslimanët sfidës së inteligjencës artificiale, a do të operohen dhe trajtohen në spitalet e Berlinit, Parisit e të tjera, në vend të spitaleve të Kajros, Amanit, Sarajevës dhe të tjera, ne merremi me teravinë.
O Zot, na ndihmo që në këtë rebiul-evvel ta kuptojmë se çfarë është e rëndësishme e çfarë nuk është, dhe që askush prej nesh të mos bëjë asgjë që sjell çfarëdo përçarjeje mes nesh.
Ne, o Pejgamber, të duam edhe kur vëllezërit dhe motrat tona të vdekura i vendosim në varr, pastaj mblidhemi rreth varrit të tyre, lexojmë Kuran dhe bëjmë dua për të vdekurin, me shpresë që i vdekuri t’u përgjigjet më lehtë dhe me më shumë siguri pyetjeve të melekëve që e marrin në pyetje.
Ne këtë e bëjmë sepse tek ne ka arritur se edhe disa sahabë kanë lënë porosi që, kur të vdisnin, të veprohej kështu. Ne e dimë se është e rëndësishme, madje më e rëndësishmja, që njeriu të pajiset me furnizimin e nevojshëm dhe të shkojë në varr i pajisur me bindje, jekin dhe vepra të mira. Por, a mund të dëmtojë që pranë varrit, duke lexuar Kuran, t’i ndihmohet të vdekurit?
E për këtë disa nga vëllezërit tanë na konsiderojnë bidatçinj, ndërsa, të themi të vërtetën, në këto debate të padobishme ne e humbim energjinë tonë.
E tani do të dëshironim të dëgjonim prej teje, o Pejgamber: a është më mirë që me Kuran t’i forcohet siguria dhe qetësia të vdekurit, apo, sapo të mbulohet varri, ta lëmë atë?
Që kur kemi filluar të të pasojmë në këtë tokë të mrekullueshme, në Bosnjë, ne kështu kemi vepruar. E tani erdhën disa dhe na thanë: “Kjo nuk është mirë.”
Si t’u besojmë atyre që, shumica prej tyre, as mejtepin nuk e kanë ndjekur, ndërsa ta lëmë pas dore atë që na kanë thënë Mehmed ef. Handzhiqi, Xhemaludin ef. Çauševiqi, Sinanudin ef. Sokoloviqi, Ibrahim ef. Trebinjaci, Kasim ef. Dobraça, Ahmed ef. Smajlloviqi? Ata ishin dijetarë islamë me nam në mbarë botën islame.
Ne, o Pejgamber, të duam edhe kur fëmijët tanë i dërgojmë në mejtep, që të mësojnë se si falet namazi, si bëhet muezinllëku dhe si bëhet dhikri i përbashkët dhe duaja e përbashkët pas namazit.
Ndoshta nuk është e domosdoshme që dhikri të bëhet bashkërisht; nuk ka dyshim se edhe dhikri individual ka të njëjtën vlerë si ai i përbashkët. Megjithëse, duke na imponuar tema për diskutim që aspak nuk meritojnë të jenë objekt diskutimi, disa pretendojnë se ne, të cilët bëjmë dhikër bashkërisht, jemi bidatçinj.
Por dijetarët tanë kanë menduar, dhe me të drejtë kanë menduar, se ne këtu, në kufijtë e umetit, të cilët nuk jemi në gjendje të flemë kurrë me të dy sytë mbyllur, duhet në çdo çast të jemi xhemat, të jemi së bashku, në mënyrë që kudo dhe gjithmonë safet tona të jenë të forta e të ngjeshura, madje edhe në dhikrin e përbashkët.
Më shkon mendja, o Pejgamber, se sikur ti t’i vizitoje xhematet tona dhe të vije papritur në namazet tona të përditshme, më parë do ta përkraheshe dhikrin tonë të përbashkët e të qetë, ndërsa do t’i dënoje ata që me sjelljen e tyre e përdhosin xhematin dhe bashkësinë tonë.
Ata zakonisht bëjnë dhikër pas farzit, por është interesante se shumica prej tyre, pas namazit të ikindisë, zakonisht nuk bëjnë dhikër, por nxitojnë në ara.
E pra, tani ju tregoni se çfarë është dashuria ndaj Pejgamberit: dhikri, qoftë i përbashkët apo individual, apo ecja dhe biseda në kohën kur bëhet dhikri?
Ne, o Pejgamber, të duam me mevlud, të duam me teravinë prej njëzet rekatesh dhe me salavate; të duam edhe kur në varr lexojmë Kuran dhe bëjmë dua; të duam edhe kur i ngjeshim safet tona, të veshur siç duhet, dhe kur e dëshmojmë unitetin tonë, duke synuar fuqinë përmes dhikrit të përbashkët.
Edhe kur, pas sunetit të sabahut, drekës, ikindisë dhe jacisë, e lexojmë nga tri herë suren El-Ihlas, ne, o Pejgamber, dëshmojmë dashurinë tonë ndaj teje, sepse e dimë se ti ke thënë se El-Ihlasi është i barabartë me një të tretën e Kuranit. Prandaj, sipas udhëzimit tënd, çdo ditë synojmë shpërblimin e katër hatmeve.
E pra, tani ju tregoni: a është më mirë ta lexojmë këtë, apo, derisa ne lexojmë, të heshtim dhe madje edhe të na akuzojmë se kjo është bidat?
E gjithë kjo është feja jonë, prandaj, i lutemi të Lartësuarit:
O Allah, na ndihmo në rrugën e unitetit dhe pajtimit tonë dhe pengoji ata që na imponojnë për diskutim çështje që prej kohësh nuk janë më çështje për diskutim. Amin!
Hatib: Izet ef. Čamdžić
Përshtati në shqip: Miftar Ajdini
(Islampress)

0 Comments