Hfz. Mehas Alija
Të nderuar vëllezër e motra besimtare!
Allahun e Madhëruar e falënderojmë për të gjitha begatitë që na ka dhuruar. Por ndër begatitë më të mëdha për njerëzimin është begatia e dërgimit të të Dërguarit të Tij, Muhammedit s.a.v.s..
Allahu i Madhëruar thotë:
وَمَا أَرْسَلْنَاكَ إِلَّا رَحْمَةً لِّلْعَالَمِينَ
“Ne nuk të kemi dërguar ty veçse mëshirë për botët.” (El-Enbija, 107)
Muhammedi s.a.v.s. nuk ishte vetëm pejgamber për një popull apo për një kohë. Ai është mëshirë për mbarë njerëzimin. Përmes tij Allahu na mësoi besimin, namazin, moralin, mëshirën, drejtësinë dhe rrugën që na çon drejt kënaqësisë së Tij.
Prandaj, kur e përkujtojmë lindjen e Muhammedit s.a.v.s., në të vërtetë po përkujtojmë një prej begative më të mëdha që Allahu ia ka dhuruar njerëzimit.
Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë:
« لَا يُؤْمِنُ أَحَدُكُمْ حَتَّى أَكُونَ أَحَبَّ إِلَيْهِ مِنْ وَالِدِهِ وَوَلَدِهِ وَالنَّاسِ أَجْمَعِينَ » “Askush prej jush nuk do të besojë derisa unë të jem më i dashur për të sesa prindërit e tij, fëmijët e tij dhe të gjithë njerëzit e tjerë.”(Buhariu)
Kjo na tregon se dashuria ndaj Muhammedit s.a.v.s. nuk është thjesht një ndjenjë. Ajo është pjesë e imanit.
Por, të dashur vëllezër, si dëshmohet kjo dashuri?
Dëshmohet duke e përmendur me salavate.
Dëshmohet duke mësuar jetën e tij.
Dëshmohet duke i mësuar fëmijët tanë për të.
Dëshmohet duke i zbatuar mësimet e tij.
Dhe mbi të gjitha, dëshmohet duke e ndjekur Sunetin dhe moralin e tij.
Prandaj, Mevludi nuk duhet të jetë vetëm një program që e dëgjojmë një herë në vit. Ai duhet të na zgjojë dëshirën që Muhammedi s.a.v.s. të jetë i pranishëm në jetën tonë çdo ditë.
Të nderuar besimtarë!
Që në kohën e Pejgamberit s.a.v.s., sahabët e shprehnin dashurinë e tyre për të me fjalë, poezi dhe lavdërime. Hassani ibn Thabiti r.s. recitonte poezi në mbrojtje dhe lavdërim të Pejgamberit s.a.v.s., ndërsa Pejgamberi s.a.v.s. e mbështeste dhe e inkurajonte.
“Sulmoji ata me poezi, sepse Xhibrili është me ty!”, i thoshte Hasanit Pejgamberit a.s.
Kjo traditë e dashurisë dhe lavdërimit të Muhammedit s.a.v.s. vazhdoi ndër breza dhe në shumë vende të botës muslimane u shpreh përmes Mevludit.
Mevludi, në thelb, u shfaq si një vepër letrare në vergje e poezi lavdëruese për Pejgamberin Muhammed s.a.v.s.. Madje poezitë lavdëruese për të u shfaqën që gjatë jetës së tij. Arabët paraislamikë e përdornin poezinë si një armë të fuqishme, si për shpifje e sulme, ashtu edhe për lavdërim. Poezia e periudhës së injorancës (xhahilijes) e kritikonte Muhammedin s.a.v.s., ndërsa lavdërimi i Pejgamberit s.a.v.s. ishte përgjigje ndaj këtyre kritikave.
Poeti Ka‘b ibn Zuhejri ishte një ndër poetët më të shquar arabë në kalimin nga periudha paraislame në epokën islame. Ai ishte kundërshtar i ashpër i Islamit dhe poet satirik. Më pas u pendua, shkoi në xhaminë e Pejgamberit dhe recitoi një kaside para Muhammedit s.a.v.s..
Pejgamberi s.a.v.s. e dëgjoi me vëmendje. Ai u prek aq shumë nga sinqeriteti dhe fuqia artistike e kasides, saqë hoqi mantelin prej supeve të tij dhe ia vendosi Ka‘bit mbi supe. Ky ishte një nga aktet më madhështore të faljes, nderimit dhe pranimit.
Pejgamberi s.a.v.s. nuk e kritikoi për këto poezi, por e shpërbleu me mantelin e tij.
Veprimet e Muhammedit s.a.v.s. me poetët Hassan ibn Thabit dhe Ka‘b ibn Zuhejr janë dëshmi për vlerën e shkrimit dhe recitimit të vargjeve për Muhammedin s.a.v.s.. Edhe mevludi është një përmbledhje vargjesh që flasin për jetën dhe personalitetin e plotë të Muhammedit s.a.v.s..
Por le ta kujtojmë sot një të vërtetë të madhe:
Mevludi më i bukur është ai që na bën ta duam më shumë Muhammedin s.a.v.s..
Mevludi më i bukur është ai që na shton salavatet.
Mevludi më i bukur është ai që na afron me namazin.
Mevludi më i bukur është ai që na bën më të mëshirshëm, më të drejtë dhe më të mirë me njerëzit.
Sepse Muhammedi s.a.v.s. na mësoi se feja nuk është vetëm fjalë, por edhe moral, mëshirë dhe vepër.
Prandaj, në këto ditë kur e përkujtojmë lindjen e tij, le ta përtërijmë lidhjen tonë me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s.. Le të lexojmë jetëshkrimin e tij, t’ua tregojmë fëmijëve tanë historinë e tij, të shtojmë salavatet dhe ta bëjmë Sunetin e tij pjesë të jetës sonë.
Allahu na e shtoftë dashurinë për Muhammedin s.a.v.s.!
Allahu na mundësoftë ta ndjekim rrugën e tij dhe të ringjallemi në Ditën e Gjykimit nën flamurin e tij!
Allahu na bëftë prej atyre për të cilët Pejgamberi s.a.v.s. do të thotë: “Këta janë njerëzit e mi.”
Allahumme salli ve sellim ‘ala sejjidina Muhammedin ve ‘ala alihi ve sahbihi exhme’in.
O Allah, na e shto dashurinë për të Dërguarin Tënd, Muhammedin s.a.v.s., na bëj të denjë për shefatin e tij dhe na bashko me të në Xhenetin Tënd!
Amin, ja Rabbel-‘alemin!
21.08.2026, e premte

0 Comments