A është e lejueshme që punëtorët të mos agjërojnë nga frika e rënies së performancës në punë?
Ramazani është farz për çdo musliman që ka arritur moshën e pjekurisë dhe gëzon shëndet mendor. Ai që nuk agjëron pa pasur një arsye të vlefshme, kryen një mëkat të madh. I Dërguari i Allahut, Muhammedi s.a.v.s. ka thënë: “Nëse një person, pa pasur ndonjë lehtësim të dhënë nga Allahu, nuk e agjëron një ditë të Ramazanit, edhe sikur ta agjërojë gjithë vitin (pastaj si kompensim), nuk e zëvendëson dot atë ditë (në sevape).” (Ebu Davudi, Saum, 38; krh. Buhariu, Saum, 29).
Ka mendime që thonë se ata që janë të detyruar të punojnë në punë shumë të rënda për ta siguruar jetesën e familjes dhe që nga agjërimi u dëmtohet shëndeti, mund të mos agjërojnë në ato ditë dhe t’i kompensojnë më vonë. Nëse nuk kanë mundësi për kaza, atëherë për çdo ditë japin fidje.
Megjithatë, puna e përditshme që nuk është shumë e rëndë nuk konsiderohet arsye për ta lënë agjërimin. Në Kur'an thuhet: “Ata janë burra që nuk i pengon as tregëtia e largët e as shitblerja në vend për ta përmendur Allahun, për ta falur namazin dhe për ta dhënë zeqatin, ata i frikësohen një dite kur do të tronditen zemrat dhe shikimet.” (en-Nûr, 24:37).
Burimi: Diyanet İşleri Başkanlığı, “Oruç - Sıkça sorulanlar”
Nga turqishtja: Rehan Neziri

0 Comments