Advertisement

Responsive Advertisement

Hutbe - GJUHA, ËSHTË O XHENETI OSE XHEHENEMI I NJERIUT – SHPIFJA

 

Hutbe - GJUHA, ËSHTË O XHENETI OSE XHEHENEMI I NJERIUT – SHPIFJA

HUTBEJA E XHUMASË – 19.09.2025
GJUHA, ËSHTË O XHENETI OSE XHEHENEMI I NJERIUT – SHPIFJA
وَالَّذٖينَ يُؤْذُونَ الْمُؤْمِنٖينَ وَالْمُؤْمِنَاتِ بِغَيْرِ مَا اكْتَسَبُوا فَقَدِ احْتَمَلُوا بُهْتَاناً وَاِثْماً مُبٖيناًࣖ٥٨
Të nderuar myslimanë!
Në ajetin që lexova, Zoti ynë i Madhëruar thotë:
“Ata që u bëjnë dëm besimtarëve dhe besimtareve pa qenë ata fajtorë për asgjë, kanë marrë mbi vete shpifje dhe mëkat të qartë.” (Ahzab, 33/58)
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) ka thënë: “A e dini çfarë është përgojimi?” – “Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më mirë” – u përgjigjën ata. Pejgamberi tha: “Përgojim është të përmendësh vëllain tënd me atë që ai nuk e pëlqen.” Dikush pyeti: “Po sikur ajo që them të jetë e vërtetë tek ai?” Pejgamberi tha: “Nëse është e vërtetë, ti e ke përgojuar; nëse nuk është e vërtetë, atëherë i ke bërë shpifje.” (Muslimi, Birr, 20)
Feja jonë Islame i ka dhënë rëndësi të madhe marrëdhënieve shoqërore, sjelljeve morale, mbrojtjes së të drejtave të personalitetit, sigurimit të qetësisë dhe paqes, si dhe shmangies nga veprimet që sjellin armiqësi, grindje dhe ndarësi. Për këtë arsye, Islami i ka ndaluar fjalët dhe veprimet që dëmtojnë marrëdhëniet shoqërore dhe cenojnë të drejtat themelore: dyshimin e keq, spiunimin, përgojimin, shpifjen, gënjeshtrën, hipokrizinë, zilinë, talljen dhe të ngjashme.
Shpifja është t’i atribuosh dikujt një vepër ose një fjalë që ai nuk e ka bërë apo thënë, në mënyrë që të dëmtohet nderi dhe reputacioni i tij në shoqëri. Shpifja është një sjellje shumë e shëmtuar, që e cenon dinjitetin dhe nderin e njeriut, dëmton miqësinë, dashurinë dhe respektin mes njerëzve, shkatërron besimin dhe përhap armiqësi. Për këtë arsye Islami e ka cilësuar shpifjen ndër mëkatet më të mëdha dhe e ka ndaluar rreptësisht - haram.
Në ajetin Kuranor thuhet:
اِذْ تَلَقَّوْنَهُ بِاَلْسِنَتِكُمْ وَتَقُولُونَ بِاَفْوَاهِكُمْ مَا لَيْسَ لَكُمْ بِهٖ عِلْمٌ وَتَحْسَبُونَهُ هَيِّناًࣗ وَهُوَ عِنْدَ اللّٰهِ عَظٖيمٌ ﴿١٥﴾
“Ju e përhapët atë shpifje nga goja në gojë dhe thatë me gjuhët tuaja atë që nuk e dinit. Ju e menduat të vogël, por tek Allahu është shumë e madhe.” (Nur, 24/15)
Të nderuar besimtarë!
Islami, i cili synon mbrojtjen e vlerave materiale si pasuria, jeta, familja, por edhe të vlerave shpirtërore si feja, mendja dhe nderi, ka ndaluar çdo sjellje që i cenon ato. Shpifja, veçanërisht kur është drejtuar ndaj nderit të një personi të ndershëm, është konsideruar mëkat i madh dhe është futur në kategorinë e krimeve të rënda.
Edhe pse shpifja mund të duket si një fjalë e lehtë që del nga goja, ajo hap plagë që nuk mbyllen kurrë, shkatërron miqësi të vjetra, ndez fitne dhe sjell shkatërrime të mëdha. Për këtë arsye, pavarësisht ndaj kujt dhe me çfarë qëllimi, nuk duhet kurrë të lejojmë që gjuha jonë të bëhet mjet shpifjeje.
Vëllezër të nderuar!
Fjalët që dalin nga gjuha mund të çojnë njeriun në xhenet ose në xhehenem. Ka fjalë që ndërtojnë një familje të lumtur, sjellin paqe dhe qetësi; por ka edhe fjalë që shkatërrojnë shtëpi dhe hapin plagë të pashërueshme. Ka fjalë që lidhin zemrat me njëra-tjetrën, sjellin buzëqeshje në fytyrën e jetimit dhe janë shërim për nevojtarin. Por ka edhe fjalë që i bëhen barrë zemrës dhe ia marrin gjumin natën. Ka fjalë që japin shpresë zemrave të dëshpëruara, që shpëtojnë një shpirt nga varësitë e dëmshme; por ka edhe fjalë që e çojnë njeriun drejt mëkateve dhe e privojnë nga mëshira e Allahut.
Prandaj, mos e përdorni gjuhën për shpifje, as për interesin tuaj dhe as për të dëmtuar dikë tjetër. Myslimanit nuk i ka hije fjala e keqe dhe e rreme. Myslimani gjithashtu nuk dëshiron kurrë të bëhet shkak i përhapjes së fitnes, e cila është më e rëndë se vrasja. Për këtë arsye duhet të mbyllen rrugët që çojnë drejt saj dhe të pengohen ata që përpiqen ta nxisin.
Me shpresën që gjithmonë të jemi në krahun e së drejtës kundër padrejtësisë, ju uroj xhuma të bekuar.
E përfundoj hutben me hadithin e Pejgamberit (s.a.s.):
وَمَنْ كَانَ يُؤْمِنُ بِاللَّهِ وَالْيَوْمِ الآخِرِ فَلْيَقُلْ خَيْرًا أَوْ لِيَصْمُتْ
“Kush beson në Allahun dhe Ditën e Fundit, le të thotë fjalë të mira ose le të heshtë.” (Buhariu, Rikak, 23)
Përgatiti: Mr. Mahmud ef. Emini, referent në Mytfininë e Tetovës

Post a Comment

0 Comments