Advertisement

Responsive Advertisement

Mevludi nuk është vetëm festë, por edhe ndjekje me besnikëri ndaj Pejgamberit alejhi selam

 

Mevludi nuk është vetëm festë, por edhe ndjekje me besnikëri ndaj Pejgamberit alejhi selam

Shejh Muhamed el-Gazali

A janë muslimanët, të cilët masivisht mblidhen në xhami dhe në vende të tjera për ta shënuar lindjen e të Dërguarit të Allahut, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, në përputhje me vetveten dhe me parimet e tyre? Nuk mendoj se realiteti, madje as imagjinata, mund të japin një përgjigje pozitive për këtë pyetje.

Shënimi i lindjes së të Dërguarit të Allahut, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, nga ana e muslimanëve, ndërkohë që ata të njëjtit muslimanë i neglizhojnë shtyllat e fesë së tij dhe shmangen nga rruga e tij, është një çrregullim psikologjik dhe shoqëror që kërkon analizë dhe shpjegim.

Kam vërejtur gjatë jetës sime dhe në punën me njerëzit, se disa mjaftohen duke e dëshmuar ”besnikërinë” e tyre ndaj prijësve dhe pushtetarëve me fjalë lajkatare që i shqiptojnë me mjeshtëri dhe me forma përuljeje që i kryejnë në mënyrë të përsosur. Por kur prej tyre kërkohet që atë besnikëri të supozuar ta dëshmojnë me një qëndrim të vendosur ose me një sakrificë të madhe, ata janë të parët që ikin.

Sa e sa njerëz në këtë botë me këto metoda të lira i mashtrojnë të tjerët – u afrohen atyre për aq sa kjo është e lirë dhe e dobishme, e sapo kjo bëhet e kushtueshme ose nuk shohin më interes personal, zhduken pa lënë gjurmë.

Qysh herët, hipokritët i afroheshin fizikisht të Dërguarit të Allahut, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, dhe pretendonin se besonin në pejgamberinë e tij, andaj Allahu shpalli: “Kur vijnë tek ti hipokritët, thonë: “Ne dëshmojmë se ti je vërtet i dërguari i Allahut!” Allahu e di se ti je i dërguari i Tij, por Ai dëshmon se hipokritët janë gënjeshtarë!” (El-Munafikun, 1)

Allahu i quajti gënjeshtarë, sepse veprat dhe fshehtësitë e tyre i zbuluan – ata nuk qenë të sinqertë në luftën që u ishte urdhëruar, nuk qenë të kënaqur me gjykimet që u jepeshin në çështjet e tyre, nuk merrnin pjesë në namazet e xhematit pas të Dërguarit të Allahut, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, e as që nguteshin për ta dhënë zekatin e detyrueshëm.

Ata besonin përderisa feja ishte vetëm fjalë. Por kur feja u bë seriozitet, heqje dorë dhe sakrificë, atëherë kjo ishte diçka krejt tjetër: “Por zemrat e tyre janë mospërfillëse ndaj këtij (Kurani). Ata kanë punë të tjera më të këqija se këto e të cilat po vazhdojnë t’i bëjnë.” (El-Mu’minun, 63)

Sot janë shtuar festimet zyrtare dhe popullore të lindjes së të Dërguarit të Allahut, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, të cilat i organizojnë muslimanët e kohës sonë – muslimanë të cilët u mundën nga një grusht çifutësh dhe u poshtëruan me një turp që muslimanët nuk e kanë njohur në historinë e tyre.

Cila është kjo lidhje e trilluar mes këtyre muslimanëve dhe të Dërguarit të Allahut, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, që ishte i guximshëm, i durueshëm, i palëkundur dhe i qëndrueshëm?

Lidhja e vetme e drejtë mes muslimanëve dhe të Dërguarit të Allahut, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, është ta marrin shembull, të qëndrojnë nën flamurin e tij, të përmbahen në praktikën e tij të saktë sunnetike dhe në rrugën e tij të drejtë.

Ai që e bën këtë, është më afër të Dërguarit të Allahut, në këtë botë dhe në botën tjetër, edhe sikur kurrë të mos e shënojë ditëlindjen e tij. Ndërsa ai që largohet nga kjo rrugë, lidhja e tij me të Dërguarin e Allahut, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, është ndërprerë, edhe nëse ai ngre dhjetëra çadra për shënimin e lindjes së tij.

Në këto ditë kur kërkojmë heronj dhe burra të guximshëm, ata që do ta mbrojnë fenë dhe të shenjtën, me respekt të thellë shikoj tek sahabiu i cili thotë: “Nuk më intereson se në çfarë mënyre do të vdes: qoftë që të më çahet koka, ose që të më shqyhet gjoksi, ose që të më pritet barku, ose që të më thyhet shtylla kurrizore.”

Të gjitha format dhe pamjet e vdekjes për të ishin të njëjta, asnjë nuk e frikësonte. Ai mendonte vetëm për një gjë: të vdiste si musliman.

Nëse zemra qetësohet me këtë përfundim, ai vdes i qetë, pa marrë parasysh se ku do të bjerë trupi i tij dhe çfarë plagësh do të marrë. Shpresa e tij lidhej me Allahun, që ta pranojë sakrificën e tij dhe ta zbresë bekimin mbi gjymtyrët e tij të copëtuara në rrugën e Allahut.

Ai thotë: “Nuk më intereson kur të vritem si musliman, në cilindo vend të bjerë trupi im, sepse kjo është për hir të Allahut! E nëse Ai dëshiron, do t’i bekojë pjesët e copëtuara të trupit tim.”

A je ndalur qoftë edhe për një çast e ta shikosh fytyrën e atij shehidi fisnik?

A e ke dëgjuar atë zë të lartë, të qetë dhe të sigurt?

Ata ishin njerëz të cilët i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, i kishte edukuar. Ai i mësoi se si të jetojnë për Allahun dhe si të vdesin për Allahun.

Lidhja e drejtë me Muhamedin, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, është të njihen me Zotin e tij, ta gjallërojnë Shpalljen me të cilën e dërgoi Allahu, ta lejojnë atë që ai e lejoi, ta ndalojnë atë që ai e ndaloi, t’i respektojnë ligjet e tij dhe t’i edukojnë gjeneratat e reja me moralin e tij, adhurimin dhe xhihadin e tij.

I Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, jetoi sipas Kuranit që iu shpall. Çfarë do të jetë gjendja jonë, nëse i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, në Ditën e Gjykimit thotë: “O Zoti im! Populli im e shpërfilli Kuranin, si (diçka) të urryer.” (El-Furkan, 30)

Ndjeva një ankth të thellë kur dëgjova një gjeneral izraelit që, pa ngurrim, thoshte:
“Ne luftojmë për Torën, për judaizmin dhe për Tokën e Premtuar.”

Pa asnjë paqartësi, pa turp dhe pa frikë e thotë këtë, ndërkohë që gojët e udhëheqësve arabë dhe muslimanë mbeten të mbyllura, nuk guxojnë të shprehin as përafërsisht të njëjtën gjë në mbrojtje të Kuranit, të Islamit dhe të umetit të shtypur që është nën agresion nga lindja dhe perëndimi.

A është përmendja e Torës nder, ndërsa përmendja e Kuranit turp?

A lavdërohen ata me gënjeshtrën e tyre, ndërsa ne fshihemi me të vërtetën që kemi?

Muhamedi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, është njeriu më i denjë në botë që të ndiqet rruga e tij dhe të madhërohet trashëgimia e tij. Libri i tij është Shpallje e vërtetë, në ajetet e së cilës gjendet shpëtimi, nga ndjekja e së cilës pritet e mira, dhe me të duhet të mburren sundimtarët dhe politikanët muslimanë: me mësimin e saj, me mendimin rreth mesazheve të saj, me ngritjen e pozitës së saj dhe me bashkimin e zemrave rreth saj.

Ditëlindja e Muhamedit, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, nuk është treg për fitim përmes shitblerjes, as një kujtesë historike për disa ngjarje të lashta dhe artefakte.

Çështja e Muhamedit, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, e fesë së tij dhe e umetit të tij, tek Allahu është shumë më madhështore sesa këto festa të lira, qofshin ato të paraqitura si fetare apo si laike.

Nëse nuk vendosim ta ndërtojmë shoqërinë tonë mbi fenë e të Dërguarit të Allahut, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, dhe mbi sheriatin e tij, atëherë nuk ka kuptim ta shënojmë ditëlindjen e tij dhe as të shfaqim një besnikëri dhe dashuri të rreme ndaj tij.

Përshtati në shqip:

Miftar Ajdini

(Islampress)

Post a Comment

0 Comments