Plani vjen pas betejës “Përmbytja e Aksasë” e nisur më 7 tetor 2023 dhe luftës së përgjithshme që okupimi po zhvillon në fronte të ndryshme, politike, ushtarake dhe në sferën e ndërgjegjes.
Çfarë përfshin plani?
Sipas faqes së internetit të aleancës, plani synon të shfrytëzojë luftën gjenocidale në Rripin e Gazës për të realizuar një transformim politik dhe për të ndërtuar një rend të ri përmes hapave kyç, të cilët përfshijnë:
Qëllimi i parë: “Përfundimi i frontit në Gaza dhe ‘dehamasizimi’ nën mbikëqyrje rajonale”
Përfundimi i frontit të Gazës duke shpallur fitoren ndaj Hamasit, lirimin e robërve të gjallë dhe të mbetjeve mortore, krijimin e një qeverie kalimtare teknokratike nën patronazh rajonal, një armëpushim të plotë dhe tërheqjen graduale të forcave të okupimit në këmbim të robërve. Plani përfshin gjithashtu një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara për garanci të veprimit të lirë të ardhshëm të forcave izraelite për të parandaluar kthimin e Hamasit, çmontimin e infrastrukturës së rezistencës, heqjen e transaksioneve me para në dorë në Gaza dhe vendosjen e një mbikëqyrjeje të avancuar financiare. Nën udhëheqjen e Perëndimit dhe vendeve arabe, kryesisht Emirateve dhe Arabisë Saudite, planifikohet një rindërtim i plotë i Gazës dhe një program për çrrënjosjen e ideologjisë së Hamasit përmes proceseve arsimore dhe shoqërore.
Nën maskën e “dehamasizimit” dhe vendosjes së një autoriteti teknik, plani nënkupton imponimin e një regjimi që do të ishte i pranueshëm për Izraelin dhe aleatët arabë. Këtu, populli i Gazës shihet vetëm si një objekt i menaxhueshëm, pa të drejtë vote as vetëvendosjeje.
Qëllimi i dytë: “Politika e tolerancës zero në Jug të Libanit dhe forcimi i ushtrisë libaneze”
Zbatimi i marrëveshjes për Libanin Jugor, mbështetja e ushtrisë libaneze dhe forcimi i qeverisë libaneze, së bashku me dobësimin e Hezbollahut. Izraeli dhe aleatët duan të forcojnë ushtrinë libaneze për t’u bërë një zonë tampon kundër Hezbollahut. Kjo është në fakt një strategji e kontrollit ushtarak të Libanit, pa përmendur shkakun thelbësor të konfliktit të okupimit dhe marrëdhëniet e padrejta të pushtetit.
Qëllimi i tretë: “Stabilizimi i Sirisë pas rënies së regjimit të Asadit”
Shfrytëzimi i rënies së regjimit të Asadit për ta stabilizuar Sirinë nën ndikimin e fuqive rajonale dhe shndërrimin e saj në një zonë tampon kundër ndikimit iranian, duke vazhduar operacionet ushtarake kundër kontrabandës së armëve, forcimin e mbrojtjes kufitare dhe vendosjen e kanaleve të komunikimit me Turqinë për të arritur stabilitetin e përbashkët. Këtu, planifikohet të përdoren “fuqitë rajonale” për të marrë Sirinë nën pretekstin e stabilitetit. Qëllimi i vërtetë është eliminimi i aleatëve të Iranit dhe krijimi i një shteti-tampon të bindur, sërish pa përmendur popullin sirian dhe të ardhmen e tij.
Qëllimi i katërt: “Rruga e shpejtë drejt normalizimit me Arabinë Saudite dhe zgjerimi i Marrëveshjeve të Abrahamit”
Përshpejtimi i procesit të normalizimit me Arabinë Saudite dhe zgjerimi i Marrëveshjeve të Abrahamit për të formuar “Mburojën e Abrahamit”, një aleancë rajonale sigurie-politike-ekonomike nën patronazhin e SHBA-së dhe Perëndimit për të shtypur rezistencën.
Prioritet është zgjerimi i rrjetit të shteteve nën dominimin amerikan-izraelit, duke injoruar faktin se marrëveshje të tilla nuk kanë sjellë kurrë drejtësi për palestinezët. Ky është një integrim ekonomiko-politik mbi të drejtat e njeriut.
Qëllimi i pestë: “Bllokada e Iranit dhe parandalimi i programit bërthamor”
Izolimi i Iranit dhe parandalimi i realizimit të programit të tij bërthamor me një plan të plotë bllokade ushtarake, politike dhe ekonomike që do ta ndërpriste Iranin nga aleatët rajonalë, me mbështetje të plotë nga aleatët arabë dhe perëndimorë.
Nën petkun e parandalimit të bërthamorizimit fshihet qëllimi i izolimit të Iranit dhe destabilizimi i mëtejshëm i rajonit. Në vend të dialogut dhe garancive të sigurisë, këtu dominon logjika e sanksioneve dhe presionit.
Qëllimi i gjashtë: “Ndarja graduale nga palestinezët brenda 10 vjetësh”
Angazhimi izraelit për një ndarje graduale nga palestinezët në një periudhë prej dhjetë vjetësh brenda një marrëveshjeje të plotë rajonale, pa hequr dorë nga e drejta për veprim të lirë të sigurisë. Ky plan kërkon reformimin e Autoritetit Palestinez dhe formimin e një udhëheqjeje të re palestineze që do të njohë okupimin si shtet kombëtar të popullit hebre dhe do të heqë pagesat për të burgosurit dhe do të ndalojë mobilizimin e rezistencës në shkolla dhe xhami. Në të njëjtën kohë, ky është edhe parimi më i diskutueshëm, sepse përmban edhe premtimin e okupimit për “separacion gradual” nën kushtet e diktuara nga Izraeli dhe aleatët e tij, në vend të një zgjidhjeje të drejtë me dy shtete dhe lirisë së vërtetë të palestinezëve. Koha dhjetëvjeçare vetëm zgjat status quo-në nën maskën e një progresi të supozuar.
“Mburoja e Abrahamit” nuk është plan për paqe dhe drejtësi, por projekt gjeopolitik që e forcon dominimin izraelit dhe i fuqizon autokratët rajonalë nën pretekstin e stabilitetit. Nën maskën e “normalizimit” dhe “sigurisë” fshihet injorimi i thellë i të drejtave dhe vuajtjeve reale të të okupuarve dhe të shtypurve. Ky plan mund të sjellë përfitim afatshkurtër për elitat, por vazhdon logjikën e forcës dhe padrejtësisë që ka çuar deri në konfliktin e gjatë.
Burimi:IslamBosna.ba
Përshtati në shqip: Miftar Ajdini
(Islampress)
0 Comments