Advertisement

Responsive Advertisement

Sulejmani alejhi selam dhe milingona dhe mësimi që na japin neve

 

Sulejmani alejhi selam dhe milingona dhe mësimi që na japin neve

Allahu i Plotfuqishëm thotë: “Para Sulejmanit u tubua ushtria e tij e përbërë prej xhinëve, njerëzve dhe shpezëve, të gjithë të radhitur në çeta të gatshme. – Kur arritën në Luginën e Milingonave, një milingonë tha: “O milingona, hyni në banesat tuaja, që të mos ju shkelë Sulejmani dhe ushtria e tij, duke mos ju parë!” Ai vuri buzën në gaz, duke qeshur me fjalët e saj dhe tha: “O Zoti im, më frymëzo që të jem mirënjohës për mirësitë që Ti më ke dhënë mua dhe prindërve të mi, dhe që të bëj vepra të mira, me të cilat Ti do të jesh i kënaqur. Më prano, me mëshirën Tënde, në gjirin e robëve të Tu të devotshëm!” (En-Neml, 17-19).

Këta ajete hapin horizonte të gjera për ta kuptuar marrëdhënien e muslimanit me botët që e rrethojnë, dhe se si edhe krijesat më të vogla mund të jenë burim reflektimi dhe mësimi.

Në ajetin e 19 të sures En-Neml, Allahu i Lartësuar përmend sjelljen e një milingone të vogël, duke theksuar rëndësinë e vëzhgimit të kujdesshëm dhe të nxënit nga gjithçka që na rrethon – madje edhe nga krijesat që në pamje të parë duken të vogla e të parëndësishme.

Ky ajet na kujton se në çdo krijesë ekziston një shenjë për atë që mendon, dhe se muslimani duhet të jetë i vetëdijshëm për urtësinë hyjnore që manifestohet në gjithçka që është krijuar, përfshirë edhe jetën e krijesave të vogla si milingona.

Ky ajet paraqet gjithashtu një udhëtim të vetëdijes, nga njohja drejt reflektimit të thellë, nga reflektimi drejt mirënjohjes, dhe nga mirënjohja drejt veprave të mira.

Pra, së pari vjen njohja apo kuptimi (idrâk), më pas mendimi i thellë (te’emmul), që çon në mirënjohje (shukr), dhe në fund ajo mirënjohje motivon për vepra të mira (amelun salihun).

Në këto ajete shfaqen dy nivele të dijes të lidhura mes vete: dija e milingonës dhe dija e të dërguarit të Allahut, Sulejmanit (a.s.).

Dija e milingonës shfaqet në kuptimin e saj për natyrën dhe sjelljen njerëzore. Duke komentuar këtë ajet, Ibni Ashur ka thënë: “Sulejmani (a.s.) u habit që milingona e dinte emrin e tij dhe tha: “… që të mos ju shkelë Sulejmani dhe ushtria e tij, duke mos ju parë!” Pastaj e përshkroi Sulejmanin (a.s.) dhe ushtrinë e tij si të drejtë dhe mëshirues, duke theksuar se ata nuk i vrasin krijesat e gjalla pa shkak të arsyeshëm.

Kjo dije nuk ishte vetëm njohuri teorike, por menjëherë u shndërrua në vepër të mirë – në paralajmërim të popullit të tij dhe në shpëtimin e jetës së tyre.

Sa i përket dijes së Sulejmanit (a.s.), ajo u manifestua në aftësinë e tij për ta kuptuar gjuhën e krijesave – një dije që e udhëhoqi drejt mendimit të thellë dhe falënderimit të vazhdueshëm ndaj Allahut.”

O Allahu i Gjithëmëshirshëm! Na dhuro dije të vërtetë të cilën do ta shndërrojmë në vepra, dhe na bëj prej robërve të Tu falënderues. Amin!

Përshtati në shqip: Miftar Ajdini

(Islampress)

Post a Comment

0 Comments