Nga Hamza Mullick
Ajo ka zhgënjyer aq shumë njerëz, ndërsa i ka kënaqur edhe shumë të tjerë. Njerëzit kanë vdekur në përpjekje për të kapur atë dhe të tjerët që nuk kanë vrapuar pas saj gjithashtu kanë vdekur.
Gëzimet dhe vështirësitë e saj nuk janë gjë tjetër pos iluzione të përkohshme. Sa herë na ka mashtruar me iluzionet e saj? Ajo mund ta robëroj zemrën, ta verboj duke e trullosur nga ajo, dhe gjithashtu ta ngarkoj me shqetësime. Nuk është askush tjetër veç se Dunjaja!
"Ju njerëz dijeni se jeta e kësaj bote nuk është tjetër vetëm se lojë, kalim kohe në argëtim, stoli, krenari mes jush dhe përpjekje në shtimin e pasurisë dhe të fëmijëve, e që është si shembull i një shiu prej të cilit bima i habit bujqit, e pastaj ajo thahet dhe e sheh atë të verdhë, mandej bëhet e thyer, e llomitur, e në botën tjetër është dënimi i rëndë, por edhe falje mëkatesh dhe dhurim i kënaqësisë nga All-llahu; pra jeta e kësaj bote nuk është tjetër vetëm se përjetim mashtrues". (Kur'an, 57:20)
Nëse ndalemi të mendojmë për ata që kanë marrë titullin si të “suksesshëm” në këtë botë janë kryesisht ata që kanë grumbulluar të holla. Por nëse shikoni në kënaqësitë më të mira të kësaj bote e dini se ajo që është e dobishme në një ditë është e dëmshme në ditën e nesërme. Gëzimet janë të njollosura me hidhërim dhe dëshirat nuk pushojnë asnjëherë. Vdekja sigurisht që do të na zë edhe pse kemi shumë aspirata që na kanë mbetur pa i realizuar.
Allahu thotë: "Po ju po i jepni përparësi jetës së kësaj bote,. E dihet se jeta e botës tjetër është më e dobishme dhe e përjetshme. (Kur'an, 87:16-17)
Pra, pse kaq shumë njerëz zgjedhin rrugën për të vrapuar çmendurisht pas kësaj jete? Për shkak se shpërblimet shihen me syrin e njeriut dhe shijohen në këtë botë. Nëse i kryejmë detyrat tona mirë, ne do të gradohemi apo do na ngriten pagat. Paramendoni nëse do të na ishte thënë se 10,000 rial të saudisë do na presin çdo herë që ne bëjmë një Umre, do të përpiqeshim të shkonim ta kryenim umren çdo ditë pa marrë parasysh vështirësitë.
Shpërblimin e jetës së përjetshme nuk mund ta shijojmë në këtë botë. Për shembull, Pejgamberi (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të) ka thënë në qoftë se ne do ta dinim se sa shpërblim i madh është për atë që falet në safin e parë të namazit në Xhami do të garonim me njëri tjetrin për ta bërë këtë. Por ta lëmë mënjanë safin e parë e ta pyesim vetën se a jemi pjesëmarrës në namazin në xhami?
Bamirësia është një nga veprat e mëdha që do të na ndihmojë në botën tjetër. Lëmosha më e mirë është kur e japim në mënyrë të fshehtë kur dora jonë e majtë nuk e di se çfarë jep dora e djathtë. Por kur vjen koha për lëmoshë papritmas faturat tona bëhen më shumë të rëndësishme. Ja rikujtojmë vetës qiranë e shtëpisë dhe shpenzimet tjera.
Si muslimanë, qëllimi ynë duhet të jetë kënaqësia e All-llahut. Destinacioni ynë duhet të jetë Xhenneti inshaAllah. Kjo nuk do të thotë që ne duhet të ulemi në Xhami gjithë ditën. Jo. Në vend të kësaj, ne duhet të bëjmë çdo gjë në këtë jetë për të na bërë të suksesshëm në Ahiret. Bota shikon pas figurave publike me famë. Por çfarë ndodh kur ata humbin famën e tyre? Çfarë ndodh kur ato bëhen të vjetra dhe të dobëta?
Të gjitha redukohen në një grumbull kujtimesh, me çfarë dobie do të pyeste dikush?. Nëse mendoni dhe kërkoni udhëzim në Kur’an do të kuptoni se në fund të ditës e vetmja gjë që do të jetë e rëndësishme është se si e ke kaluar jetën tënde - Sa vepra të mira kemi bërë dhe sa më pak mëkate kemi kryer. Kjo është sprova për të cilën është krijuar kjo botë.
Hasan El-Basriu, i cili ishte një Tabi' i njohur (Student i Sahabave), e përshkroi këtë botë vetëm me tri ditë.
Dita që kaloi dhe kështu që nuk ka shpresë më në të.
Ditën që jetoni në të dhe e që është ditë e duhur nga ku do të përfitoni sa më shumë nga ajo.
Dita që do të vie e për të cilën nuk e dini nëse do të jeni pjesë e saj.
Përktheu dhe përshtati:
Naim Berisha
0 Comments