Ndarja e mishit të kurbanit është një mësim për mënyrën se si duhet t’i radhisim detyrimet dhe përgjegjësitë tona. Dispozita e kurbanit thotë që një të tretën e mishit ta lëmë për vete dhe për familjen tonë. Kjo na mëson se çdo ditë, së pari, duhet t’u kushtojmë vëmendje nevojave të familjes, sepse i Dërguari i Allahut na mëson se ne jemi barinj dhe do të pyetemi për kopenë tonë – kopeja jonë është familja jonë.
Të tretën e dytë të mishit të kurbanit, sipas dispozitave të fesë, duhet t’ua ndajmë të afërmve dhe miqve. Allahu i Plotfuqishëm, në suren en-Nisa na porosit: “…
Frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjella dhe ruani lidhjet farefisnore…” (en-Nisa’, 1). Ndërsa i Dërguari i Allahut (savs) paralajmëron: “Kush ka të varfër në mesin e farefisit të tij dhe nuk është bamirës ndaj tyre, dhe as sadakanë që u takon atyre ia jep dikujt tjetër, Allahu nuk do t’ia pranojë atë sadaka dhe as nuk do ta shikojë në Ditën e Gjykimit.” (Ebu Davudi)
Përveç se në ditët e Bajramit i therim kurbanet, ne nga ajo sakrificë mësojmë se duhet që çdo ditë, sipas mundësive tona, të sakrifikojmë – të ndajmë nga ajo që kemi. Këtë posaçërisht e thekson dispozita për kurbanin, e cila thotë se të tretën e tretë ta ndajmë për të varfërit. Ebu Dherri (r.a.), i kërkoi të Dërguarit të Allahut: „Më porosit diçka që do të jetë veçanërisht e rëndësishme për mua në jetë.“ I Dërguari i tha: “Duaji të varfrit dhe shoqërohu me ta.” Ai gjithashtu tha: “Allahu është në ndihmë të robit të Tij përderisa ai është në ndihmë të vëllait të tij.” Kurbani na mëson se nëse e dëshiron ndihmën e Allahut, ndihmoje atë që ka nevojë.
Nuk ka asgjë më të vlefshme gjatë ditëve të Bajramit sesa therja e kurbanit. Dhe kurbani na mëson se nuk ka asgjë më të rëndësishme në jetët tona sesa familjet tona. Forca jonë buron nga ruajtja e lidhjeve farefisnore, kurse lumturia jonë do të vijë nga gatishmëria për t’i ndihmuar të tjerët.
Izet ef. Čamdžić
0 Comments