Advertisement

Responsive Advertisement

Hixhreti sot – largim dhe distancim nga e keqja

 

Hixhreti sot – largim dhe distancim nga e keqja


Hfz. Mehas Alija

“Kush bën hixhret për hir të Allahut, do të gjejë në tokë vend të mjaftueshëm dhe begati të shumta…”(En-Nisa: 100)

Të dashur vëllezër e motra!

Javën që vjen, më 26 qershor, fillon viti i ri hixhri – viti 1447. Hixhreti i Pejgamberit a.s. nga Meka në Medinë nuk ishte një arratisje nga vështirësitë, por një lëvizje strategjike për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe më të shëndoshë.

Ky veprim na mëson një parim të madh: Kërko ambientin ku mund të zhvillohesh; kërko shkollën më të mirë, punën më të mirë, shoqërinë më të mirë, familjen më të mirë, xhaminë më të mirë, etj. Kur në Meke u mbyllën të gjitha mundësitë për ta përhapur të vërtetën, Allahu hapi dyert e Medinës. Ndonjëherë, edhe ne duhet të kuptojmë se disa rrethana harxhohen, disa marrëdhënie dhe lidhje shkëputen, por gjithmonë ka mundësi të reja, vetëm nëse jemi të gatshëm dhe kemi vullnet të ecim përpara.

Por, për të na u hapur “dyert e Medinës”, duhet të japim maksimumin tonë në “Mekën” tonë, pra, aty ku jemi sot. Një gabim i zakonshëm është që ankohemi për të tjerët, por nuk e shohim sa kemi kontribuar vetë.

Hixhreti nuk është vetëm një datë historike – ai është një gjendje shpirtërore: hixhret nga apatia në përkushtim, nga dëshpërimi në shpresë, nga vetëfajësimi në veprim. Kur do ta ndryshojmë veten, Allahu ka për të na ndihmuar të ndryshojmë edhe gjendjen dhe realitetin tonë.

Nga Abdullah ibn Amr r.a. transmetohet se një burrë e pyeti të Dërguarin e Allahut (paqja qoftë mbi të): “O i Dërguar i Allahut, ç’është Islami?”

Ai tha: “T’ia dorëzosh zemrën tënde Allahut dhe muslimanët të jenë të sigurt nga gjuha dhe dora jote.”

Ai tha: “Cila pjesë e Islamit është më e mira?”

Pejgamberi tha: “Imani.”

Ai pyeti: “Cila pjesë e imanit është më e mira?”

Ai tha: “Hixhreti.”

Ai pyeti: “Cili është hixhreti më i mirë?”

Pejgamberi u përgjigj: “Të largohesh nga ajo që Zoti yt e urren.” (Taberani dhe Bejhekiu)

Po ashtu, Muhammedi a.s. thotë: “Muhaxhiri është ai që largohet nga ajo që Allahu e ka ndaluar.” (Buhariu)

Qoftë i bekuar viti i ri hixhri 1447, me dëshirën e të bërit hixhret nga modeli i vjetër drejtë modelit të ri të mendimit dhe veprimit

Lusim Allahun që ta fillojmë këtë vit të ri me përkushtim dhe vizion. Amin!

(Hutbe e xhumasë, 20.06.2025, St.Gallen, Zvicër)

Post a Comment

0 Comments