A duhet t’i ndjekim medhhebet?

All-llahu i Madhërishëm në Kur’anin Fisnik thotë: “Ne e shpallëm Kur’anin dhe Ne do ta ruajmë atë.” (Hixhr, 9)

Ashtu siç Zoti i botëve ia besoi fenë Pejgamberit, a.s., dhe e detyroi atë që t’ua përcjellë të tjerëve, po ashtu edhe Pejgamberi, a.s., këtë detyrë ua la emanet pasardhësve të tij (varisëve), duke i urdhëruar që ta ndjekin Kur’anin dhe sunnetin. Kështu feja u mbrojt nga zhdukja, dhe as’habët, tabi’inët dhe alimët (dijetarët) që e ndoqën rrugën e tyre, nderohen me një pjesë në detyrën e lavdishme të ruajtjes së Kur’anit dhe të fesë.

Feja është e All-llahut dhe Ai do ta ruajë atë deri në Ditën e Kijametit. Gjithmonë do të ekzistojë një grup që e jeton fenë e vërtetë, sepse kështu premtoi All-llahu. Megjithatë, në këtë, si dhe në çdo punë tjetër, All-llahu ka vendosur një mjet (vesile) në ruajtjen e fesë – dhe ato janë dijetarët e vërtetë (ulematë).

Deri në kohët e fundit, medhhebet nuk kanë qenë temë diskutimi, as feja nuk ka qenë ndonjëherë mjet për arritjen e interesave të kësaj bote, siç ndodh sot. Në të kaluarën, alimët nuk flisnin fare për medhhebet, sepse nuk ndjenin nevojë për këtë. Ata e dinin se medhhebi është në të vërtetë ajo që as’habët e panë nga Pejgamberi, a.s., dhe ua përcollën atyre që erdhën mbas tyre. Ata e dinin se medhhebi Hanefi nuk është rrugë e shpikur nga Ebu Hanifeja, por sunnet i cili me zinxhir të sigurt u është përcjellë atij nga alimët, pra ajo që ai e mësoi prej Abdullah b. Mes’udit, r.a., prej Omerit, r.a., dhe ky prej Pejgamberit, a.s..

Megjithatë, në 200 vitet e fundit, së bashku me zhvillimin dhe përparimin e teknologjisë, në fenë Islame filluan të futen gjëra të ndryshme. Mohimi i medhhebeve nga sekti vehabist, reforma e islamit e kështu me radhë, saqë sot arritëm deri te ata që mohojnë edhe vetë sunnetin dhe nevojën për të, duke e mbrojtur teorinë se për ta kuptuar fenë mjafton vetëm Kur’ani, me sa duket duke menduar se ata e kanë kuptuar më mirë se vetë Pejgamberi.

Ne do të përpiqemi këtu të shpjegojmë se çfarë është medhhebi dhe pse mohimi, përkatësisht mosndjekja e medhhebit, është rrugë që shpie në kufër, si dhe sa e madhe është rëndësia e sunnetit.

Çfarë është medhhebi?

Në kuptimin gjuhësor, fjala medhheb do të thotë “të shkosh, të ecësh, rrugë që ndiqet”. Në terminologjinë fikhore, medhheb do të thotë “besimi dhe rregullat fetare që na përcjell një muxhtehid sipas mënyrës se si ai e ka kuptuar”. Megjithatë, ixhtihadi nuk është aspak punë e lehtë. Alimët – imamët e medhhebeve, e kanë shpenzuar jetën e tyre në këtë rrugë.

Ekzistojnë dy lloje të ixhtihadit:

1. Ixhtihadi mutlak (i plotë): është aftësia për të nxjerrë një rregull dhe fetva për çdo çështje nga çdo situatë. Ai që e ka këtë aftësi quhet “muxhtehid mutlak (i plotë)”.
2. Ixhtihadi mukajjed (i kufizuar): është aftësia për të nxjerrë rregull vetëm nga një numër i caktuar çështjesh (mesele).

Imamët e të katër medhhebeve janë muxhtehidë të plotë. Që dikush të jetë muxhtehid i plotë, duhet të plotësojë disa kushte. Në librat e usulit, këto kushte përshkruhen sipas renditjes së mëposhtme:

– Kushti i parë: Njohja e burimit të parë të sheriatit, Kur’anit Fisnik. Kjo nënkupton kuptimin e tij si nga aspekti gjuhësor, ashtu edhe nga aspekti sheriatik. Pra, duhet ta njohë në detaje gjuhën arabe dhe shkencat që i përkasin asaj, si: sarfi, nahvi, belagaja dhe letërsia. Sa i përket aspektit sheriatik, duhet ta kuptojë Kur’anin në tërësi, kuptimet e tij, aludimet, kuptimet e kufizuara, am-in (të përgjithshmen), has-in (të veçantën), hafi-n (të fshehtën), dhahir-in (të jashtmen), si dhe atë që mund dhe atë që nuk mund të interpretohet. Dijenia për të gjitha sa më sipër duhet të jetë në një nivel kaq të lartë sa të mund ta përdorë për nxjerrjen e normës juridike.

– Kushti i dytë: Njohja e sunnetit të të Dërguarit të All-llahut, a.s., e cila gjithashtu nënkupton përsosmërinë e njohjes si nga aspekti gjuhësor, ashtu edhe nga ai sheriatik. Më pas, duhet ta njohë shkencën e rivajetit (zinxhirit të transmetimit) të hadithit, domethënë mënyrën se si hadithi ka ardhur deri tek ne (shkalla e autenticitetit, llojet e rivajetit) dhe të gjitha implikimet e tyre në normën juridike.

– Kushti i tretë: Njohja e shkencës së nasih dhe mensuh (shkenca e abrogimit) lidhur me Kur’anin dhe sunnetin. Përndryshe, mund të japë rregull bazuar në një tekst të abroguar.

– Kushti i katërt: Njohja e përsosur e gjuhës arabe, domethënë shkencave të sarfit, nahvit, belagatës, bejanit, letërsisë, sepse dy burimet kryesore të islamit janë në gjuhën arabe.

– Kushti i pestë: Njohja e usuli-fikhut (metodologjisë së të drejtës sheriatike), sepse ky është themeli i ixhtihadit. Pa njohjen e kësaj metodologjie, nuk mund të nxirren norma juridike.

– Kushti i gjashtë: Ta dijë qëllimin dhe synimin e rregullave islame, si dhe urtësitë dhe thelbin e tyre, ta njohë shkakun e një teksti të caktuar burimor dhe atë ku ai shpie nga pikëpamja sheriatike, dhe që me një qasje gjithëpërfshirëse të arrijë te rregulli.

Përveç sa më sipër, muxhtehidi duhet të jetë person që e zotëron drejtësinë, besimin plotësisht të saktë, aftësi të jashtëzakonshme të kuptuarit dhe vlerësimit, të njohë ixhma’në (konsensusin) dhe ihtilafin (mospajtimet), pastaj kijasin (analogjinë) dhe llojet e tij, dhe qëllimet e sheriatit. Duhet t’i njohë zakonet dhe adetet islame, si dhe të ketë talent natyral për ixhtihad. Që një muxhtehid të japë fetva të saktë, duhet të ketë dhunti natyrore, kuptim të shkëlqyer dhe gjerësi të jashtëzakonshme mendore. Ai që nuk i zotëron këto, nuk mund të jetë muxhtehid, edhe nëse i ka të gjitha të sipër përshkruarat.

E gjithë ajo që renditëm këtu ishte e pranishme te të katër imamët dhe për këtë ekziston qëndrimi unanim i ulemasë.

Medhhebi është rruga e të kuptuarit të fesë që imamët e kanë marrë, përkatësisht e kanë mësuar nga alimët që kanë jetuar para tyre. Kjo rrugë më vonë mori emrin sipas muxhtehidëve që e siguruan vazhdimësinë dhe mbrojtjen e saj. Në përputhje me këtë, kur thuhet p.sh. medhhebi Hanefi, kjo pa dyshim e nënkupton rrugën e tabiinëve dhe as’habëve. Asnjë muxhtehid nuk ka ekzistuar pa i ndjekur tabiinët dhe as’habët.

Në një hadith të transmetuar nga hz. Enesi, Pejgamberi, a.s., thotë: “Ummeti im do të ndahet në 73 grupe. Përveç njërit, të gjithë do të përfundojnë në xhehennem.” As’habët e pyetën: “O Resulallah, cili është ai grup i shpëtuar?” Pejgamberi, a.s., u përgjigj: “Janë ata që do ta ndjekin rrugën time dhe rrugën e as’habëve të mi.” (Bejhekiu)

Për përhapjen e bidatit në islam, Hasan bin Ali Berbehari, r.a., ka thënë: “Çdo bidat që është shfaqur në islam, ka filluar me diçka të vogël. Dhe gjithmonë paraqitet sikur po i fton njerëzit në të vërtetën. Kush e ndjek atë, vështirë mund të shpëtohet, sepse shumë shpejt merr përmasa të gjera dhe personi largohet nga rruga e drejtë. Madje mund të dalë edhe nga feja. Prandaj, kujdes mirë se kë dëgjoni! Mos u ngutni! Mos prano asgjë që nuk e ke dëgjuar nga alimët e vërtetë ose që e di se nuk e kanë transmetuar ata.”

Duke e treguar rëndësinë e kësaj çështjeje, Sejjid Abdulhakim Husejni, All-llahu qoftë i kënaqur me të, thotë:

“Thelbi i gjithçkaje është ta mësosh akaidin e ehli sunnetit dhe besimin tënd ta përshtatësh me të. Më pas, të bësh vepra sipas rregullave të ulemasë së ehli sunnetit. Për sa kohë që kjo nuk bëhet, është e pamundur të përparosh në rrugën e tasavvufit.”

Nevoja e ndjekjes së njërit prej katër medhhebeve

Për fat të keq, një nga temat për të cilën më së shumti diskutohet sot është çështja e ndjekjes së medhhebit. Ata që e mohojnë nevojën e ndjekjes së medhhebit, të rinjtë më së shpeshti i mashtrojnë me pyetje si: “A ekzistonte medhhebi në kohën e Pejgamberit? Ç’nevojë ka për të kur e kemi Kur’anin dhe hadithin?” Sipas qëndrimit të tyre, secili mund ta jetojë fenë ashtu siç e kupton dhe e interpreton vetë nga Kur’ani dhe sunneti.

Megjithatë, fakt është se shumica e madhe e muslimanëve nuk e kanë aftësinë ta kuptojnë rregullin drejtpërdrejt nga burimet dhe se muslimanët gjithmonë e kanë mësuar fenë nga alimët, duke u udhëhequr nga ajeti: “Nëse nuk dini, pyetni njerëzit e ditur”. Pejgamberi, a.s., në hadith gjithashtu thotë: “Ndiqni alimët e vërtetë.”

Pra, duke e ndjekur urdhrin e All-llahut të Madhërishëm dhe këshillën e Pejgamberit, a.s., muslimanët e kanë mësuar fenë nga një muxhtehid, e kanë zbatuar atë dhe kështu janë bërë pasues të “ixhtihadit të tij, pra medhhebit”. Me fjalë të tjera, ndjekja e medhhebit në fe është diçka krejtësisht e natyrshme dhe e saktë.

Çfarë pengese ka që një musliman, i cili vetë nuk është muxhtehid, ta mësojë fenë nga Ebu Hanifeja dhe muxhtehidët e tjerë të plotë?

Pse sot insistohet në mosndjekjen e këtyre katër medhhebeve? A nuk është mbrojtja e teorisë se çdo musliman duhet të ndjekë Kur’anin dhe sunnetin ashtu siç e kupton vetë, një shpikje e një rruge dhe drejtimi të ri?

Muslimanët që nuk kanë dije të mjaftueshme, po thirren në një rrugë pa udhërrëfyes, një rrugë pa mësues, dhe së shpejti do të kemi një brend të mendjemëdhenjve që jetojnë në bindjen se janë të mjaftueshëm për veten e tyre.

Gjatë historisë së gjatë të islamit, medhhebet kanë qenë të pranishme dhe ulemaja nuk ka gjetur kurrë ndonjë fetva që të ketë qenë e gabuar. A është e mundur që vetëm sot të zbulohet dëmi i ndjekjes së këtyre medhhebeve, të cilët për një periudhë kaq të gjatë e mbajnë vulën e korrektësisë dhe të vërtetësisë? A është e mundur që mijëra e mijëra alimë të shquar nuk e kanë parë kurrë ndonjë pengesë në këtë, ndërsa xhahilët (lexo vehabistët) e kohës sonë e shohin atë kaq qartë?

Këta “dijetarë” të kohës sonë thonë: “Unë di shumë hadithe. I posedoj pothuajse të gjitha përmbledhjet e haditheve. Veproj ashtu siç ka thënë Pejgamberi, a.s. Ç’nevojë ka për medhhebet?”

Ne pyesim: a mjafton të dish hadithe për të bërë ixhtihad?

Nëse e vërejmë jetën e as’habëve, r.a., do të shohim se Ebu Hurejreja, r.a., është as’habi që ka ditur më shumë hadithe. Ai ka transmetuar mbi 5300 hadithe, megjithatë, nuk ishte nga as’habët që ishin fukaha (juristë). Kur përballej me ndonjë çështje, për fetva e pyeste hz. Omerin, hz. Aliun, Abdullah bin Omerin, Zejd b. Thabitin ose hz. Ajshen, r.a. Pra, Ebu Hurejre, r.a., nuk ka thënë: “Unë di shumë hadithe dhe mund të bëj ixhtihad”, ndërsa dikush sot ia jep vetes këtë të drejtë kaq lehtë.

Të dish është një gjë, të kuptosh është tjetër

Sulejman b. Mihran (A’mesh) një herë e pyeti Ebu Hanifen, r.a., për një çështje. Imam Adhami, r.a., iu përgjigj, ndërsa ky e pyeti se nga e ka nxjerrë atë rregull.

Ebu Hanifeja, r.a., i përmendi një hadith që ai e dinte mirë, sepse edhe ai vetë e transmetonte. A’meshi qeshi dhe tha: “Pikërisht. Edhe unë e kam transmetuar këtë hadith, por nuk e dija se e kishte këtë kuptim. Vërtet, ne jemi vetëm farmacistë, japim ilaçin, ndërsa ju jeni mjekët. Ju e dini se cili ilaç jepet për cilën sëmundje.”

Imam Nablusi në veprën Hulasatu’t-Tahkik thotë: “Në kohën në të cilën jetojmë, nuk lejohet të ndiqet ndonjë medhheb tjetër përveç katër medhhebeve të pranuara. Arsyeja për këtë nuk është se ata janë të vetmit të saktë, por se asnjë medhheb tjetër nuk është ruajtur dhe nuk na është transmetuar me zinxhir transmetuesish të sigurt. Po të ishte ashtu, do të lejohej ta ndiqnim ashtu si katër të tjerët.”

Omer Nasuhi Bilmen, në veprën Ilmihali i madh Islam, thotë: “Katër muxhtehidët e mëdhenj janë një mëshirë e madhe për të gjithë muslimanët. Ata i kanë nxjerrë rregullat nga burimet dhe na kanë treguar se si ta praktikojmë fenë. Kushdo që ndjek njërin nga katër medhhebet, ai ndjek të vërtetën dhe ecën në rrugën e Pejgamberit, a.s.“

Këta katër dijetarë të mëdhenj kanë qëndrim unanim në çështjet e bazave të fesë dhe në këtë nuk ka mosmarrëveshje mes tyre. Ata janë ndarë vetëm në disa çështje të rëndësisë dytësore. Megjithatë, nëse shikohet me kujdes, bëhet e qartë se mosmarrëveshja e tyre është vetëm në formë, sepse një pjesë e tyre i ka dhënë përparësi rrugës së takvallëkut (devotshmërisë), ndërsa tjetri rrugës së lehtësirave, duke u hapur besimtarëve një fushë të gjerë mëshire. Pejgamberi, a.s., e ka theksuar këtë me fjalët: “Mosmarrëveshja midis ulemasë së Ummetit tim është mëshirë për Ummetin.”

Sejjid Muhammed Rashid, në një debat ka thënë:

“Më i madhi nga katër muxhtehidët është Imam Adham Ebu Hanifeja, pastaj Imam Maliku, pastaj Imam Shafi’u, pastaj Imam Ahmed bin Hanbeli, r.a. Çdo person është i detyruar ta ndjekë medhhebin e tij. Në rast nevoje, lejohet të veprohet sipas një medhhebi tjetër. Duhet mbajtur larg atyre që kanë shtrembërime në besim dhe që ndjekin një rrugë jashtë kësaj. Medhhebet Hanefi, Shafi’i, Maliki dhe Hanbeli janë medhhebe të së vërtetës dhe çdo gjë jashtë tyre është e shtrembëruar. Grupi ehli sunneh vel-xhemaatit është grupi i shpëtuar. Imamët e ehli sunnetit në fushën e akaidit janë Imam Maturidiu dhe Imam Esh’ariu , dhe në fushën e fikhut Imam Adhami, Imam Maliku, Imam Shafi’u dhe Imam Ahmed bin Hanbeli, r.a. Ehli sunnet vel xhemat është rruga e Kur’anit, sunnetit të Pejgamberit të nderuar dhe medhhebi i as’habëve, tabiinëve, evlijave dhe dijetarëve.”

Midis pasuesve të këtyre katër medhhebeve ka pasur kaq shumë alimë të shquar që zotëronin dije të madhe, por asnjërit prej tyre nuk i ka shkuar ndër mend të bëjë ixhtihad, përkundrazi, ata e kanë konsideruar veten të nderuar që ndjekin njërin nga këta katër imamë.

Ai që vetë nuk është muxhtehid dhe nxjerr rregulla nga burimet sipas të kuptuarit të tij, pa ndjekur asnjërin nga katër imamët, merr mbi vete një përgjegjësi të madhe. Edhe nëse përgjigjja që jep është e saktë, ai përsëri ka gabuar dhe do të përgjigjet para All-llahut për këtë. Pejgamberi, a.s., lidhur me këtë temë thotë: “Më i guximshmi prej jush për të kërcyer në zjarr është ai që është më i guximshëm për të dhënë fetva.” (Darimi)

Nëse një person e interpreton fenë sipas të kuptuarit të tij, dhe jo ashtu siç e kanë kuptuar dhe na e kanë transmetuar këta imamë, nuk ka dyshim se do të devijojë nga rruga e drejtë, sepse kjo është pikërisht ajo që ka ndodhur në histori. Për të mos ndodhur kjo edhe me këtë ummet, ulemaja urdhëron që të ndiqet njëri nga këta muxhtehidë – alimë që kanë jetuar menjëherë pas Pejgamberit a.s. dhe me veprën dhe dijen e tyre kanë shërbyer dhe shërbejnë edhe sot gjithë shoqërisë islame.

Falë medhhebeve është përjashtuar mundësia që secili të interpretojë dhe flasë për fenë në mënyrën e tij. Janë zgjidhur qindra mijëra pyetje dhe janë dhënë po aq fetva, duke i çliruar muslimanët nga mundimi në këtë fushë. Falë medhhebeve, feja transmetohet e pandryshuar nga brezi në brez. Ata që, me arsye ose pa arsye, mbrojnë rrugën pa medhheb, i ndajnë muslimanët dhe hapin debate mes tyre.

Thirrja për lënien e medhhebit është bid’ati më i madh dhe më i rrezikshëm në islam.

Këta katër imamë kanë bërë një përpjekje të madhe në këtë fushë, saqë atyre që vijnë pas tyre nuk u kanë lënë shumë për të thënë. Feja ndiqet dhe zbatohet ashtu siç e kanë kuptuar ata dhe na e kanë transmetuar, sepse ata e kanë arritur këtë dije nëpërmjet më të mëdhenjve nga alimët midis as’habëve dhe midis tabiinëve. Kush i ndjek ata, është i shpëtuar; kush vepron ndryshe nga kjo – është në humbje.

Në Kur’an dhe sunnet besohet ashtu siç është urdhëruar. Veprat bëhen sipas rregullave që muxhtehidët kanë nxjerrë nga këto burime. Ata kanë thënë qartë se çfarë është farz, çfarë është haram, çfarë është vaxhib, dhe çfarë është sunnet dhe mustehab. Këtë jemi të detyruar ta mësojmë dhe ta praktikojmë. Nuk lejohet të veprohet sipas një rregulli që nuk është në përputhje me njërin nga këta katër medhhebe.

Kur dëshirohet të veprohet sipas një rregulli, përparësi i jepet qëndrimit që është më i forti. Çdo person e ndjek medhhebin të cilit i përket, por gjatë kryerjes së një vepre të caktuar, më së miri dhe më së sakti është të ketë parasysh edhe mendimin e muxhtehidëve të tjerë.

Siç thotë Sufjan Thevri, k.s.: “Mos thoni ‘alimët janë ndarë në këtë çështje’, por thoni ‘alimët i kanë ofruar Ummetit më shumë hapësirë në këtë çështje’.”

Redaksia,
[islampress.ch]