Advertisement

Responsive Advertisement

Hutbe - ÇDO PUNË KA MORALIN E VET

 

Hutbe - ÇDO PUNË KA MORALIN E VET

Hutbeja e Xhumasë – 03.10.2025

ÇDO PUNË KA MORALIN E VET

اِنَّ الَّذٖينَ اٰمَنُوا وَعَمِلُوا الصَّالِحَاتِ اِنَّا لَا نُضٖيعُ اَجْرَ مَنْ اَحْسَنَ عَمَلاًۚ ﴿٣٠﴾

Të nderuar besimtarë!

Në këtë jetë secili prej nesh merret me punë dhe detyra të ndryshme. Disa prej nesh janë nëpunës, disa drejtues; disa punëtorë, disa punëdhënës. Tek Allahu nuk na bën të vlefshëm as posti, as pozita, por ajo që na jep vlerë është imani dhe adhurimet tona, si dhe të jemi njerëz me moral të mirë e me ndjenjë përgjegjësie.
Zoti ynë i Lartësuar në Kur’an thotë:
اَلَّذٖي خَلَقَ الْمَوْتَ وَالْحَيٰوةَ لِيَبْلُوَكُمْ اَيُّـكُمْ اَحْسَنُ عَمَلاًؕ وَهُوَ الْعَزٖيزُ الْغَفُورُۙ ﴿٢﴾
“Është Ai që krijoi vdekjen dhe jetën për t’ju vënë në provë se cili prej jush do ta bëjë punën më të mirë…” (Mulk, 67/2)

Ashtu siç shprehet ajeti, një nga tiparet që duhet të ketë besimtari është ta kryejë punën e tij sa më mirë. Islami na mëson një moral pune. Në thelbin e këtij morali qëndrojnë drejtësia dhe ndershmëria, besimi dhe besnikëria, ndjeshmëria ndaj hallallit dhe haramit. Në këtë moral gjendet përkujdesja për të mos marrë atë që nuk na takon, respektimi i të drejtës së tjetrit dhe të drejtës publike. Në këtë moral gjendet edhe përpjekja për ta forcuar vendin tonë në çdo fushë dhe për të kontribuar në paqen, lumturinë dhe mirëqenien e popullit tonë. Në këtë moral gjendet përdorimi i dijes, shkencës dhe teknologjisë për të mirën e njerëzimit, përhapja e drejtësisë dhe mirësisë, pengimi i padrejtësisë dhe së keqes.

Të nderuar Myslimanë!
Pejgamberi ynë i dashur (a.s.) ka thënë:
إنَّ اللهَ تعالى يُحِبُّ إذا عمِلَ أحدُكمْ عملًا أنْ يُتقِنَهُ - قال النبي ﷺ
“Allahu i Madhëruar e do që ju t’i bëni punët tuaja sa më mirë.” (Bejhaki, Shuab’ul-iman, 4/334)

Duhet t’i përmbahemi sinqerisht këtij hadithi dhe të përpiqemi ta bëjmë punën tonë me përpikmëri. Duhet të lodhemi për të fituar rizkun hallall. Djersën ta konsiderojmë të shenjtë. Punën tonë ta shohim si një amanet. Nuk duhet të dëmtojmë mjetet dhe pajisjet e vendit ku punojmë. Nuk duhet të shfrytëzojmë mundësitë e punës për interesat tona personale.

Në fenë tonë Islame jo vetëm punëtori dhe puna, por edhe punëdhënësi ka moralin e vet. Pejgamberi ynë i dashur (a.s.) ka thënë:
أعطوا الأجيرَ أجْرَه قَبلَ أنْ يَجِفَّ عَرَقُه - قال النبي ﷺ
“Jepjani punëtorit pagën e tij para se t’i thahet djersa.” (Ibn Maxhe, Ruhun, 4)
Nëse jemi punëdhënës, duhet ta marrim këtë hadith si udhërrëfyes, duke ia dhënë pagën punëtorit plotësisht dhe me kohë. Nuk duhet ta privojmë nga sigurimi. Duhet të tregojmë kujdes për sigurinë në punë dhe shëndetin e tij ta shohim si shëndetin tonë. Duhet të ruhemi nga çdo veprim që mund të dëmtojë jetën e tij. Duhet t’i japim mundësi të pushojë dhe të kryejë adhurimet e tij.

Edhe shërbimi publik në Islam ka moralin e vet. Para së gjithash duhet ta dimë se e drejta publike është e drejta e tërë popullit. Duhet ta kryejmë me përpikmëri detyrën dhe përgjegjësinë tonë. Duhet t’i shërbejmë popullit tonë me mirësjellje dhe buzëqeshje. Duhet ta mbajmë drejtësinë të fortë, të mos largohemi nga e vërteta dhe e mira.

Të nderuar vëllezër!
Ka një jetë të përhershme në ahiret ku do të japim llogari për çdo gjë që kemi bërë dhe do të marrim shpërblimin e plotë. Prandaj, në jetën tonë të punës dhe veprimtarisë të bëjmë hapa të përgjegjshëm. Të mos mashtrojmë dhe të mos mashtrohemi. Të fitojmë hallall dhe të shpenzojmë hallall. Të ruhemi nga e drejta e njerëzve dhe nga e drejta publike. Të bëjmë kujdes që të mos kalojë në fytin tonë asnjë kafshatë haram. Le të mos harrojmë se edhe përpjekja për të siguruar nevojat e vetes dhe familjes sonë në mënyrë hallall e të ligjshme është adhurim.

E përfundoj hutben me përgëzimin e Zotit tonë të Lartësuar:
“Sa i përket atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, s’ka dyshim se Ne nuk humbim shpërblimin atij që bëjnë mirë.” (Kehf, 18/30)


Përktheu dhe përshtati: Mr. Mahmud Emini – Referent i Myftinisë së Tetovës

Post a Comment

0 Comments